Kanë pranuar fajësinë tre të akuzuarit që dyshohej se plagosën Met Elshanin, menaxherin e Feros.
Siq raporton “Betimi për Drejtësi” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, të akuzuarit Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi, kanë pranuar fajësinë për plagosjen e menaxherit të “On Records”, Mehmet Elshani.
Ndërsa në këtë rast, i dëmtuari Elshani akuzohet për armëmbajtje pa leje, për të cilën vepër penale i njëjti në këtë seancë u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas precizimit të dispozitivit të 3-të të aktakuzës nga ana e prokurorit Hvzi Bajraktari dhe ricilësimit të veprës penale nga “Vrasja e rëndë në tentativë” në veprën penale “Vrasja në tentativë”, dy të akuzuarit Krasniqi dhe i akuzuari Cakiqi, u deklaruan fajtorë për veprat që iu vihen në barrë.
“Gjatë mbajtjes së seancave të shqyrtimeve gjyqësore në rastin e administrimit të provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve të propozuar si në aktakuzë, rezulton se vepra penale për të cilën janë akuzuar tani të akuzuarit; vrasje e rëndë me bashkëkryerje në tentative, nga neni 173, par. 1, pika 1.5, lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së, nuk është vërtetuar që kanë qenë në rrezik persona tjerë me rastin e kryerjes së veprës nga ana e të akuzuarve, përpos të dëmtuarit në këtë rast Mehmet Elshanit,”, tha prokurori Bajraktari.
Më pas, me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, u pajtua prokurori Bajraktari dhe të njëjtin e aprovoi trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Agim Kuçi.
Pasi propozimit të prokurorit Bajraktari dhe pajtimit të mbrojtjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Kuçi me qëllim të efikasitetit, bëri veçimin e procedurës për tani të akuzuarit Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi.
Pas kësaj, për tre të akuzuarit e lartpërmendur, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare.
Prokurori Bajraktari ka deklaruar se pas precizmit të aktakuzës dhe pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarve, është vërtetuar se të njëjtit me dashje në bashkëkryerje kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Elshani.
Andaj, prokurori Bajraktari ka thënë se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe i propozoi gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Cakiqi, avokati Hamit Gashi, ka thënë se i mbrojturi i tij pa dashje për të kryer veprën penale të këtij lloj apo vepra të kësaj natyre, është gjetur në këto rrethana.
Tutje, avokati Gashi ka thënë se i mbrojturi i tij, veprimet që i ka kryer, i ka pranuar, ku ka shprehur pendim të thellë duke i kërkuar falje të dëmtuarit, si dhe duke u përmirësuar ditë pas ditë pas qëndrimit të gjatë në paraburgim.
Në fund, avokati ka kërkuar nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij, të shqiptohet një dënim sa më i butë, me të cilën do të arrihet qëllimi i dënimit në tërësi.
Me këtë deklarim të avokatit Gashi, u pajtua i akuzuari Cakiqi, ku ndër të tjera ka shtuar se i kërkon falje publikisht të dëmtuarit Elshani.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Haxhi Millaku ka deklaruar se në fjalën përfundimtare do të elaborojë rrethanat lehtësuese, të cilat janë në favor të të mbrojturit tij dhe kërkoi që gjykata t’i japë peshë dhe rëndësi me rastin e nxjerrjes e vendimit.
“I mbrojturi im e ka kuptuar rëndësinë dhe peshën e veprës, e ka pranuar fajësinë, i premton gjykatës që në të ardhmen nuk bjen në kundërshtim me ligjin dhe meqenëse i mbrojturi im ka ndejtë një kohë të gjatë në masën e paraburgimit e ka kuptuar që dëshiron t’i kthehet shoqërisë”, tha ndër të tjera avokati Millaku.
Avokati Millaku kërkoi nga gjykata që të mbrojturit të tij, t’i shqiptohet një dënim sa më i ulët.
I akuzuari Krasniqi e ka mbështetur në tërësi fjalën përfundimtare të dhënë nga avokati i tij, Millaku.
Ndërkaq, mbrojtësi i të tretë Krasniqi, avokati Naser Sopjani ka kërkuar nga gjykata që në rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit për të mbrojturin e tij, të ketë parasysh pranimin e fajësisë, keqardhjen që ka shprehur i njëjti, si dhe se ka qëndruar 3 vite e gjysmë në paraburgim.
Sipas tij, kushtet dhe mënyra e zbatimit të paraburgimit, del që paraburgimi mund të vlerësohet si dyfishë i çfarëdo dënimi që do ta mbante i akuzuari në vuajtje të dënimit.
Në fund, avokati Sopjani kërkoi nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim sa më i ulët.
I akuzuari Krasniqi u pajtua me deklarimet e avokatit të tij, Sopjani dhe shtoi se pasi ka qëndruar në paraburgim ka reflektuar dhe nuk do të përsërisë më vepër penale.
Më pas, avokatët Gashi dhe Sopjani kanë kërkuar nga gjykata që të mbrojturve të tyre t’iu ndërprehet masa e paraburgimit.
Kurse, këtë propozim e ka kundërshtuar prokurori Bajraktari dhe i propozoi gjykatës që masa e paraburgimit ndaj të akuzuarve të vazhdohet derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Për këtë, gjykatësi Kuçi ka thënë se trupi gjykues do të marrë aktvendim pas shpalljes të aktgjykimit ndaj të akuzuarve.
Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penalo-juridike u caktua më 21 tetor 2022.
Para përfundimit të seancës, për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë, gjykatësi Kuçi ka larguar nga salla të akuzuarin Adhurim Krasniqi.
Ndryshe, në fillim të kësaj seance, gjykatësi Kuçi ka bërë të ditur se për këtë çështje është bërë ndërrimi i trupit gjykues, ashtu që tani anëtari i ri i këtij trupi gjykues është gjykatësi Ngadhnjim Arrni.
Andaj, kjo çështje ka filluar rishtazi, ku pasi u konsiderua e lexuar aktakuza, tre të akuzuarit u deklaruan fajtorë për të gjitha veprat penale që iu vihen në barrë, mirëpo të njëjtit nuk pranuan fajësinë për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”. Kurse, i akuzuari Elshani u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i ngarkohet.
Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve për disa vepra penale u pajtua prokurori Bajraktari dhe të njëjtin e aprovoi trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Kuçi.
Më pas seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse, ku palët në procedurë mbetën pranë fjalëve të tyre hyrëse të dhëna në seancën e mbajtur më 29 qershor 2021.
Kurse, me propozimin e prokurorit Bajraktari, u bë leximi i deklaratave të dëshmitarëve të cilët janë dëgjuar në seancat e mbajtura deri më tani për këtë çështje penale, si dhe provat e administruara në seancën e mbajtur më 13 prill 2022. Më pastaj, prokurori bëri ricilësimin e veprës penale dhe të akuzuarit u deklaruan sërish rreth fajësisë.
Ndryshe, në këtë rast, Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi po akuzohen se kishin tentuar të privonin nga jeta të akuzuarin Mehmet Elshani, ndërsa Cakiqi po akuzohet edhe për një tjetër rast, në të cilin kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit Agon Selmanaj, të cilit i kishte shkaktuar lëndim të lehtë trupor.
Në aktakuzë thuhet se derisa Elshani ishte duke shkuar në drejtim të sallonit “Rizza Hair Sallon”, kishin shkuar të akuzuarit dhe kishin filluar të fjalosen me të, ku të tre i kishin nxjerrë armët dhe kishin filluar të shtien në drejtim të Elshanit, i cili për t’u mbrojtur kishte nxjerrë armën e tij dhe kishte shtënë në drejtim të të akuzuarve.
Nga këto të shtëna, një predhë e kishte qëlluar Elshanin në kofshë të këmbës së djathë duke e rrëzuar për tokë dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa të akuzuarit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Po ashtu, sipas aktakuzës, nga të shtënat me armë të zjarrit, predhat kishin depërtuar edhe në banesën e të dëmtuarit Shaip Latifi, duke i shkaktuar dëm në vlerë 95 euro, si dhe në veturën e të dëmtuarit Riza Bajrami, veturën e Besart Hasanit si dhe një tjetër veturë të tipit ‘Audi”.
Për këto veprime, tre të akuzuarit sipas prokurorisë në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa të njëjtit bashkë me të akuzuarin Mehmet Elshani po akuzohen edhe për “Armëmbajtje pa leje”.
Ndërsa sipas prokurorisë, i akuzuari Shpëtim Cakiqi, më 16 maj 2019, në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, me dashje i kishte shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit Agon Selmanaj.
Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Selmanaj kishte qenë duke ecur me vëllanë e tij Ndue Selmanaj, përballë tyre kishin kaluar të akuzuarit Cakiqi dhe i akuzuari Adhurim Krasniqi, ku së bashku me një person të panjohur i kishin nxjerrë armët dhe i kishin repetitur duke ua drejtuar të dëmtuarve dhe kishin filluar të fjalosen me ta.
Në aktakuzë thuhet se në ato momente i akuzuari Adhurim Krasniqi e kishte goditur me grusht në kokë të dëmtuarin Ndue Selmanaj, ndërsa i akuzuari Cakiqi kishte shtënë në drejtim të Agon Selmanajt, duke e qëlluar në këmbën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, ndërsa të tre kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Për këto veprime, i akuzuari Cakiqi sipas prokurorisë, ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i akuzuari Adhurim Krasniqi me veprat penale “kanosja” dhe “armëmbajtje pa leje”.