Policia e Kosovës ka gjobitur protestuesit e rastit të protestës për vajzen 11 vjeçare që dyshohet se u dhunua nga 11 persona.
Këtë e ka bërë të ditur vet këshilli organizativ i kësaj proteste përmes këtij postimi.
“SHTETI NË PËRNDJEKJE TË PROTESTAVE: GJOBITEN AKTIVISTE E AKTIVISTË
Si përgjigje ndaj dy protestave tona “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, Policia e Kosovës na ka lajmëruar që na ka gjobitur. Protestuese/ë e bashkëorganizatore të protestës janë ftuar nga Policia nën arsyetimin se revolta jonë e përbashkët ndaj neglizhimit institucional në parandalimin dhe trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave, ka paraqitur prishje të rendit dhe ofendim ndaj institucioneve të Kosovës. Gjithësej janë hapur 8 raste të cilat Policia dhe Prokuroria i kanë nisur në gjykatë.
Këtë përndjekje ne e konsiderojmë si një përpjekje tjetër të shtetit për të na heshtur dhe zmbrapsur. Gjobitja si mjet disiplinimi është metodë e njohur për ne. Edhe më parë protestat tona janë konsideruar si të paligjshme dhe të patolerueshme për shtetin. Përkundër tentativave për ta ndëshkuar për rezistencën tonë, ne kemi vazhduar të organizohemi dhe çdo ditë e më zëshëm ta denoncojmë dhunën e institucionalizuar ndaj vajzave dhe grave.
Ne nuk frikësohemi nga tentativat e shtetit për të na heshtur. Ne nuk do i bindemi këtyre ndërmarrjeve patriarkale dhe do i kundërshtojmë deri në fund. Gjithashtu, ne e përsërisim ne do t’i zaptojmë edhe më tej rrugët, sheshet e institucionet publike, për t’i shndërruar ato në vatra të rezistencës tonë kolektive. Deri sa të gjitha/ë të jemi të lira/ë nga dhuna institucionale.
Grupi Organizativ” kanë shkruar ata.