Policia e Kosovës ka konfirmuar të martën se në koordinim me Prokurorinë dhe Qendrën për Punë Sociale, janë duke e trajtuar rastin e 3-vjeçarit, i cili dyshohet se është rrahur në kopshtin “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë nga edukatoret e këtij institucioni.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, për Telegrafin ka thënë se nuk mund të japë detaje të tjera deri në përfundimin e fazës fillestare të hetimit.
“Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast. Për detaje mbesim në kontakt pasi të përfundon faza fillestare e hetimit”, ka thënë ajo.
Ndryshe, të hënën një qytetar në Facebook ka njoftuar se nipi tij është rrahur në kopshtin “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, nga tri edukatoret e këtij institucioni.
“Të nderuar media dhe prindër! Dua të ndaj me ju diçka të tmerrshme që sapo ka ndodhur në Fushë Kosovë, në çerdhen shtetërore të fëmijëve “Gëzimi Ynë”, është rrahur brutalisht nipi im Lisi, vetëm 3 -vjeç. Shikoni kamerat ku shihet qartë që po rrihet e tërhiqet zvarrë, me pas e dërgojnë në një dhomë pa kamera dhe e rrahin pa mëshirë të tri mësueset e kësaj k***e!”, ka shkruar ai.
E të martën në mëngjes, inspektorët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit kanë shkuar në këtë çerdhe, ka njoftuar ministrja Arbërie Nagavci.
Ajo tutje ka thënë më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar.
“Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, ka shkruar Nagavci në Facebook.