Një picë që nuk dihet e çfarë lloji, sot është bërë kryetemë mes disa deputetëve në Kuvendin e Kosovës, shkruan Neutral
Derisa po diskutohej për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, një përplasje ndodhi mes deputetit të VV-së Armend Muja, dhe atij të PDK-së, Ferat Shala.
Deputeti Muja ka hedhur akuza në drejtim të familjarëve të deputetit të PDK-së, Ferat Shala, për dallavere, por pas këtyre akuzave ka reaguar deputeti Ferat Shala, ku i njëjti tha se nuk ka punë me Mujën por me Bekim Haxhiun që e ka nxjerrë nga burgu atë për korrupsion.
Madje deputeti i PDK-së tha se Bekim Haxhiu i kishte dërguar picë në stacion të policisë.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se picën ia çoi Mujës në stacion me kërkesë të familjarëve, pasi që ai s’kishte ngrënë që nga mëngjesi, por mohoi se e kishte nxjerrë Mujën nga Burgu.
“Si humanist që jam ja kom qu picën. S’i kishin jep me hangër prej mëngjesit. Si humanist që jam me kërkesë të familjarëve. Por s’kam ndiku në rastin ndaj tij”, tha Haxhiu në Kuvendin e Kosovën, gjë që shkaktoi të qeshura në Kuvend, kur Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se shqiptarët nuk e kanë traditë ta bëjnë të madhe me e përmend një picë.
Por, për këto deklarata të picës, reagoi edhe vetë deputeti i VV-së, Armend Muja, i cili tha se nuk e njeh personalisht as Ferat Shalën e as Bekim Haxhiun.
“Që ta kupton popullsia. Nuk e njoh Bekim Haxhiun as Ferat Shalën. Një kohë jam akuzu dhe s’e kontrolloj dot por çfarë mund të bëjmë është që t’ia lëmë procesit të drejtësisë. S’kam qenë në burg. Kam pas një ndalesë për të cilën jam përgjigj. Jam i bindur që kam performu me nderë”, tha Muja në Kuvend.
Por, Haxhiu i tha se ai mund t’i përmend edhe me emra personat që ia kanë dërguar picën atij në burg, dhe se një gjë të tillë e ka bërë për hatër të familjes së tij.
“Zoti Muja, as ma shumë as ma pak, ajo që ka qenë e kam thanë. Munesh me kanë bukëpërmys, është çështje e juaja. The kom jap llogari. Landa jote është parashkru, s’je shpallë i pafajshëm. E kam bërë për hir të familjes. Nëse don edhe me emra kush ta ka pru picën të kallzoj”, tha ai.