Konflikti për një pronë i ka shtyrë dy vëllezër në Vushtrri të tentojnë ta privojnë nga jeta një person, të cilin gjatë ditës së djeshme e sulmuan me thikë. Incidenti ka ndodhur në rrugën “Çamëria”, por që i parapriu një debat që të dyshuarit e kanë pasur me viktimën te objekti i komunës së Vushtrrisë, ku punon ky i fundit.
Mediat raportuan sot për këtë rast, ndërkohë që tashmë ka mësuar detaje të reja për përfshirjen e një zyrtari komunal.
Personi që u plagos nuk ishte cak i të dyshuarve, pasi të njëjtit tentonin t’i qëronin hesapet me nënkryetarin e komunës së Vushtrrisë. .
Viktima, Sami Bajrami, i cili është roje i kryetarit Ferit Idrizi dhe nënkryetarit të komunës, Shpëtim Zhegrova, e pësoi nga vëllezërit Gërbeshi, të cilët ia zunë pritën pasi nuk u lejuan të shkojnë në zyrën e Idrizit dhe Zhegrovës.
Sipas informacioneve të para, dy të dyshuarit, Emini dhe Albini, që një kohë kanë një konflikt me nënkryetarin e komunës, lidhur me një pronë në afërsi të “Real Market” në Vushtrri.
Në pamundësi për t’u takuar me Zhegrovën, vëllezërit Gërbeshi ia kanë sulmuar rojën e tij, të cilin e kanë therur me thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Posa rasti është denoncuar në Polici, të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes, kurse viktima është dërguar për trajtim mjekësor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Mitrovicës.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se e kanë sulmuar fizikisht me thikë viktimën mashkull kosovar.Viktima ka pranuar tretman mjekësor e më pas është liruar. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”