Bini lehtë në gjumë të thellë, mirëpo përnjëherë zgjoheni në 4 të mëngjesit dhe jeni tërësisht të zgjuar.
Çfarë ndodh me ju?
Deri te një shkallë e caktuar vështirësitë e të qëndruarit në gjumë apo isnomnia e mesme janë normale, transmeton Neutral.
Nëse zgjoheni, ktheheni në anën tjetër dhe vazhdoni të flini, kjo është në rregull. Mirëpo nëse ndodh që të zgjoheni në mes të natës dhe nuk mund të fini më shumë se gjysmë ore tri apo më shumë ditë, kjo është shenjë që është fjala për ndonjë problem.
Por pse ndodh kjo?
Pagjumësia e mesnatës prek po thuajse dy herë më shumë femrat se sa meshkujt. Kjo bëhet më e zakonshme për moshën e mesme. Dhimbja kronike, apnea e gjumit, dhe nevoja për t’u zgjuar dhe për të përdorë tualetin janë gjëra të cilat mund ta prishin gjumin tuaj. Të tilla janë edhe afshet e menopauzës. Ndërkohë, edhe stresi i jetës mund ta luajë rolin e tij.
Problemet martesore, humbja e punës, prindërit e moshuar, ose largimi i fëmijëve nga shtëpia, të gjitha këto mund të bëjnë që mendja të fluturojë gjatë natës. Sapo të filloni të zgjoheni natën, cikli përkeqësohet edhe më shumë. Sa më shumë që shqetësoheni për humbjen e gjumit, aq më vështirë bëhet të qëndroni në gjumë.
Ekspertët thonë se gjithkush mund të zgjohet natën kohë pas kohe, dhe shumica e njerëzve shtrihen dhe kthehen sërish në gjumë. Por disa njerëz fillojnë të shqetësohen për të. Dhe, derisa qëndrojnë zgjuar, ata bëhen edhe më të shqetësuar, që e bën edhe më të vështirë rikthimin në gjumë.
Nëse kjo vazhdon çdo natë, mund të bëhet një përgjigje e kushtëzuar, që mund të shkaktojë vetvetiu pagjumësi.
Disa hapa që mund t’i merrni për të ndryshuar rutinën ditore dhe që ndihmojnë në një gjumë më të mirë janë:
▪ Shmangni dremitjet gjatë ditës
▪ Bëni stërvitje të rregullta
▪ Sigurohuni që të dilni jashtë gjatë ditës për t’u ekspozuar në dritën natyrale.
Kjo ju ndihmon ta ruani ciklin e shëndetshëm gjumë-zgjim
Ka edhe disa hapa që mund t’i merrni para kohës së gjumit të cilat mund të përmirësojnë gjumin:
▪ Shmangni pijet me kafeinë dhe me alkool
▪ Mos pini duhan
▪ Mos hani ushqime të mëdha para gjumit
▪ Shmangni diskutimet emocionale para se të shkoni të flini
Po ashtu është e rëndësishme të mbani një orar të rregullt të rënies në gjumë dhe të zgjimit – si gjatë javës ashtu edhe gjatë fundjavës.
Përpiquni të shkoni në shtrat dhe të zgjoheni në të njëjtën kohë çdo ditë.