Kombëtarja e Shqipërisë e ka mbyllur me barazim ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Të udhëhequrit e Sylvinhos luajtën baras sonte në “Air Albania” ndaj Ishujve Faroe, në ndeshjen e tetë dhe të fundit në Grupin E, shkruan Gazeta Express.
Ndeshja u mbyll baras dhe pa gola.
Kjo pikë i mjaftoi “Kuqezinjve” që të mbajnë vendin e parë, nga ku edhe do të shkojnë në “Euro 2024”.
Shqipëria regjistroi disa raste për të shënuar, por që nuk ia doli ta bëjë sonte.
Vlen të theksohet si para, ashtu edhe gjatë ndeshjes, tifozët e festuan në çdo moment kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm, që do të mbahet në Gjermani.
Kombëtarja shqiptare e mbylli këtë cikël kualifikues me 15 pikë dhe me një bilanc prej katër fitoreve, tri barazimeve dhe vetëm një humbjeje.
Bashkë me Shqipërinë nga ky grup është kualifikuar edhe Republika Çeke.