Përballja e Gërvalles me Daçiqin, ia thotë në sy se është ‘Slloba i vogël’

Kryediplomatja Donika Gërvalla, ishte sot pjesë e seancës në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ku u fol për Kosovën. 

Përballjen kryesore, Gërvalla e pati me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, që ajo ia tha në sy se është një “Sllobodan i vogël”, si shkak i ‘bossit’ të tij, Millosheviqit.

Gërvalla iu drejtua Daçiqit me keqardhje, pasi tha se për të është e vështirë ta pranojë se e kanë humbur Kosovën në 99-ën, ndaj edhe përdorë një retorikë nënçmuese ndaj Kosovës.

“Sapo treguat sot pse njerëzit në Serbi, në vitet e 90-ta ju kanë quajtur “Slloba i Vogël”. Pra, një Slobodan i vogël, një Millosheviq i vogël, shkaku i ‘bossit’ tuaj. E kuptoj se jeni i zemëruar, dhe e njoh këtë gjuhë që moti, sepse nuk jam në politikën evropiane qe dy a tre vite. Por, ju e keni të vështirë t’ua spjegoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në 99-ën, ndaj mbani retorikë të tillë. Unë mendoj që populli i Serbisë nuk meriton diçka të tillë. E vërteta dhemb, e dimë”, tha Gërvalla.

“Më vjen keq për ju sepse ju jeni fqinji jonë dhe ne duhet të përballemi me ju”.

Ajo foli edhe për babain e saj të ndjerë, gazetar e aktivist me zë në vitet e 90-ta, që u vra nga forcat Jugosllave e të cilin e përmendi edhe vetë MPJ i Serbisë, në këtë mbledhje të OKB-së.

“Një Kosovë e pavarur për ju është kaq e vështirë për t’u pranuar saqë më përpara do të pranoni një atentat ndaj një gazetari që kërkon të vërtetën në mënyrë paqësore me tekstet, me shkrimet e tij. Kjo tregon se ju jeni Serbia e vjetër, Serbia e Millosheviqit, dhe jo ajo Serbia që i duhet regjionit dhe Evropës. Me ju, Serbia e di se nuk ka rrugë drejt BE-së, dhe një të ardhmeje më të mirë për qytetarët tuaj”.

Tutje, pasi Daçiq akuzoi Kosovën se është fajtore në gjykimin ndaj Thaçit në Hagë, ministrja Donika Gërvalla iu përgjigj duke i thënë se Gjykata Speciale u themelua me qëllim të hetimit të krimeve të mundshme, por se thellësisht beson që Thaçi e të tjerët do të shpallen të pafajshëm.

Ajo i quajti “kriminelë e terroristë” forcat Serbe gjatë luftës, ndërsa shtoi se populli i Kosovës thjesht po mbronte veten.

“Më lejoni t’ju them, se për dallim prej Serbisë… ju folët për Gjykatën Speciale që është themeluar nga Parlamenti i Kosovës, jo nga Serbia e Vuçiqit, Daçiqit. Ka qenë një hetim i pavarur për të hetuar krimet e mundshme mes viteve ‘98-00. Ishit ju që bëtë shkatërrime, që dogjët shtëpi, vratë burra, foshnje, dhe madje e festuat këtë gjenocid. Njëriu nuk mund të bie më poshtë se kaq.”

“Populli i Kosovës mbronte shtëpitë e veta, dhe ata nuk ishin terroristat, ishin forcat Serbe të sponsorizuara nga shteti i tyre”.

“Eshtë e vërtetë që zoti Thaçi është për momentin në Hagë, ku unë fuqimisht besoj që Kosova do të dëshmojë, se UÇK, ai vetë dhe të tjerët që janë të akuzuar, kanë çdo argument në anën e tyre se janë të pafajshëm nga ato akuza”.

Kryediplomatja nuk e la pa theksuar se Kosova sot është shtet më vete, demokratik e i pavarur, dhe se dialogu nuk e vë në pikëpytje statusin e Kosovës.


“Kosova sot është shtet i pavarur, është shtet sovran dhe demokratik. Një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Si shtet demokratik, ne po dialogojmë me fqiun tonë problematik për normalizimin e marrëdhënieve tona. Nuk është dialog për statusin e Kosovës sepse kjo është gjë e kryer, e njohur nga nga më shumë se 115 shtete anëtare të OKB-së, por është diskutim lidhur me statusin e marrëdhënieve tona”.

Deklaratat e Ivica Daçiqit sot në OKB, e shtyen Gërvallën që ta shtrojë një pyetje të rëndësishme.

“Kemi pasur progres. Menduam se Serbia ishte e përkushtuar dhe ka pranuar propozimin evropian, i mbështetur nga shtetet anëtare të BE-së dhe ShBA-të, dhe duke ju dëgjuar sot juve, dhe presidentin tuaj, shtroj pyetjen se a kemi me të vërtetë marrëveshje apo jo. Ne jemi të gatshëm ta zbatojmë atë për çka jemi dakorduar në Ohër”.

“E kuptoj frustrimin, i kuptoj përpjekjet për ta përdorur historinë për t’u shfajësuar nga gjenocidi, por si evropiane e vërtetë nuk jam e gatshme të pranoj asnjë nga këto. Shpresoj që në Qeverinë e Serbisë, qytetarë të arsyeshëm do të mbizotërojnë dhe do ta gjejnë një rrugë si të merren vesh me njërz si z. Vuçiq dhe Daçiq që janë pjesë e të kaluarës së Serbisë”, përfundoi Gërvalla fjalën e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *