Fushë-Kosova, Gjilani e Shtërpca janë komunat e Kosovës ndaj të cilave Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka shqiptuar gjoba këtë vit për mosofrim të qasjes në dokumente publike, raporton Ekonomia Online.
Për të njëjtën arsye, janë gjobitur edhe Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Infrastrukturës.
Ndërsa dy gjoba janë shqiptuar për moszbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Krenare Sogojeva-Dermaku, komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ka thënë për Ekonomia Online se ankesat kanë të bëjnë për mohim të qasjes në dokumentet publike dhe në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
“Në fakt numri i gjobave deri më sot, për sa i përket qasjes në dokumente publike janë diku 8 gjoba, 4 prej tyre janë ndaj komunës së Fushë-Kosovës, një është ndaj Universitetit të Prishtinës, respektivisht Fakultetit të Mjekësisë, një gjobë është ndaj komunës së Shtërpcës, një është ndaj komunës së Gjilanit dhe gjoba e fundit është ndaj Ministrisë së Infrastrukturës”, u shpreh Sogojeva.
Krahas kësaj, Sogojeva-Dermaku ka thënë se institucioni që ajo e drejton, këtë vit ka dënuar edhe një biznes dhe Partinë Socialdemokrate për moszbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo e fundit është gjobitur në rastin ku në oborrin e Qeverisë shpalosi peticionin e vitit 2015 kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me 205 mijë nënshkrime të qytetarëve.
“Janë dy gjoba të shqiptuara këtë vit për moszbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale apo shkelje të ligjit të mbrojtjes së të dhënave personale. Një është shqiptuar ndaj një biznesi për shkak të mos respektimit të vendimit detyrues që e ka lëshuar Agjencia, ndërsa tjetra është pikërisht Partia Socialdemokrate e cila është gjobitur për shkak të publikimit të numrit të madh të të dhënave të qytetarëve. Por t’a kemi parasysh që Agjencia vitin e kaluar ka shqiptuar 4 gjoba të natyrës së tillë institucioneve të ndryshme publike”, u shpreh ajo.
E sa i përket numri total të ankesave për këtë periudhë kohore janë 243, ku 257 prej janë mbyllur, ndërsa pjesa tjetër është në shqyrtim.
“Në fakt deri më sot në Agjenci sa i përket ankesave ndaj mohimit të qasjes në dokumente publike, respektivisht në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për qasjen në dokumente publike janë adresuar në total 343 ankesa, prej tyre janë mbyll 257 ankesa dhe numri tjetër janë në shqyrtim, po ashtu gjatë këtij viti deri më sot, në dikasterin apo në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale janë parashtruar 88 ankesa dhe prej tyre diku 43 janë mbyllur ndërsa 45 tjera janë në shqyrtim”, ka thënë ajo.
“Agjencia përveç ankesave, misionin e saj e ka edhe në inspektimet e rregullta sa i përket zbatimit të ligjit për sa i përket ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe në kuadër të inspektimeve të rregullta por edhe në bazë të shqyrtimit të ankesave deri më sot janë nxjerrë 120 vendime të cilat janë të publikuara në web-faqen e Agjencisë”, ka deklaruar ajo.
Sogojeva-Dermaku ka thënë se ankesat për qasje në dokumentet zyrtare janë të llojllojshme. Ankesat sipas saj janë kryesisht për vlerësimin e komisioneve në procedurat e rekrutimit për shkak të pakënaqësive
“Ankesat për qasjen në dokumente publike janë prej me të ndryshmeve, duke filluar nga më procedurat e rekrutimit kryesisht i kemi këto vlerësimit e komisioneve në procedurat e rekrutimit për shkak të pakënaqësive që mund të ndodhin në këto procese, i kemi edhe për procese të prokurimit por edhe dokumente të tjera publike të cilat institucionet publike nuk i bëjnë publike në web-faqet e tyre apo në të cilat secili qytetar që dëshiron të ketë qasje edhe kërkon për të kryer një punë të tij apo të saj, pa kufizime, thjesht ankesat në qasje në dokumente publike janë kryesisht këto ndaj dokumenteve të cilat veç duhet me vetiniciativë vetë institucionet t’i bëjnë publike”, u shpreh ajo.