PDK: Serbia s’i ka përfunduar synimet destabilizuese ndaj Kosovës, Qeveria të koordinohet me aleatët

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se Serbia nuk i ka përfunduar qëllimet destabilizuese ndaj Kosovës.

Kjo parti i ka bërë thirrje Qeverisë që ta rrisë koordinimin me aleatët strategjikë, para së gjithash me SHBA-në.

Të hënën është mbajtur takim i përbashkët i Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së për të biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

PDK-ja i ka dhënë mbështetje të plotë dhe ka shprehur mirënjohjen për institucionet e sigurisë, veçanërisht Policinë e Kosovës, për të cilën ka thënë se ka bërë punë të jashtëzakonshme në terren.

PDK-ja ka thënë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, adresën kryesore e ka në Beograd. Partia më e madhe opozitare ka kërkuar nga BE-ja që të marrë masa ndaj Serbisë.

“PDK kërkon veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, tashmë kur dëshmitë për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist kundër Kosovës janë të bollshme. PDK vlerëson se vendosja e mijëra trupave ushtarake serbe rreth e përqark kufirit me Kosovën, tregon qartë se synimet destabilizuese të Serbisë kundrejt vendit tonë nuk kanë përfunduar. Në këtë kontekst, PDK kërkon koordinim më të madh të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë, para së gjithash me SHBA-në. Në të njëjtën kohë, PDK është mirënjohëse për përkushtimin dhe mbështetjen e aleatëve tanë ndaj Republikës së Kosovës në këtë situatë të vështirë për shtetin dhe popullin tonë. Për PDK-në, interesi nacional i vendit mbetet mbi të gjitha, e posaçërisht në periudha sfiduese si kjo, kur është cenuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë”, thuhet nga PDK-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *