Pas raportimeve për rastin, gruaja e imamit Drilon Gashi del me sqarim: Ishte zënkë

Ditë më parë u raportua se hoxhë Drilon Gashi i cili është edhe këshilltar i kryekuvendarit, Glauk Konjufca, kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Lidhur me këtë për herë të parë ka reaguar bashkëshortja e Gashit përmes një shkrimi në Facebook.

Teuta Mahmutaj-Gashi e ka sqaruar opinionin publik duke thënë se vite më parë e kishin pasur një zënkë familjarë por që gjithçka ishte zgjidhur.

“Para disa viteve, burri im u dënua me vërejtje gjyqësore pas një zënke që kishim në familje. Që nga ajo kohë, ne si familje kemi punuar shumë që të kemi një jetë të lumtur dhe të rindërtojmë marrëdhënien tonë”, ka shkruar ajo.

Mahmutaj-Gashi po pretendon se publikimi i këtij lajmi ishte një montim i qëllimshëm për hakmarrje.

Shkrimi i plotë:  

Përshendetje të nderuar,

Po shkruaj sot për një situatë personale që doli në publik ditët e fundit dhe që ka bërë që unë dhe familja ime të vuajmë shumë.

Nuk po hyj në detaje të plota, por përpara se të dëgjoni ndonjë opinion ose mendime të tjerëve, dua të tregoj se çfarë ka ndodhur vërtetë.

Para disa viteve, burri im u dënua me vërejtje gjyqësore pas një zënke që kishim në familje. Që nga ajo kohë, ne si familje kemi punuar shumë që të kemi një jetë të lumtur dhe të rindërtojmë marrëdhënien tonë.

Lajmi i aktgjykimit të tij u ba viral dhe u shfrytëzua nga kundërshtarët e tij, për të na goditur ne dhe imazhin tonë. Media e keqpërdori këtë situate për interesat e tyre të veçanta dhe për të marrë klikime.

Burri im Driloni, aktualisht është i përfshirë në dy padi gjyqësore që për momentin po i shqyrtohen në Gjykatën e Pejës, njëra kundër përjashtimit të tij nga BIK-u dhe tjetra me Enes Gogën.

Personi që e kishte marrë atë vendim nga gjykata dhe që e kishte publikuar i pari dhe përsëritur më pas disa here në portalin e tij “Peja në Fokus” është Valdrin Daci, çuditërisht një gazetar po ashtu nga Peja, i cili mendon se është një besimtar i devotshëm.

Prandaj, ky skenar i dyshimtë, nuk është bërë për mbrojtjen e interesit publik, as për të drejtat e grave e as për raportimet e dhunës në familje, por konsideroj që e gjithë kjo bujë është një montim I qëllimshëm dhe një çështje personale për hakmarrje. Unë personalisht personin në fjalë dhe gazetat që e morën këtë lajm prej tij, do t’i padis në gjyq për cënim të privatësisë dhe dëmtim serioz të integritetit personal.

Atëherë, para 5 viteve, gjatë procesit gjyqësor, burri im pranoi disa fakte që në të vërtetë nuk ndodhën kurrë, por ai e bëri këtë për të përfunduar sa më shpejt situata dhe për të rikuperuar marrëdhënien tonë. Ne në atë kohë nuk kishim as avokat me vete dhe fjalët që janë shkruar në procesverbal as që na kanë interesuar më vonë.

Ne nuk kemi qenë të interesuar për publikimin e kësaj historie dhe kjo na ka dëmtuar shumë neve si familje, fëmijët tanë, prindërit tanë dhe mua personalisht si individ.

Trajtimi mediatik i kësaj situate private dhe personale ka qenë shumë i dhimbshëm për ne.

Disa komentues u morën edhe me shaminë time. Unë nuk pyes juve si vishem e as burrin tim për atë që do të vendos në kokën time.

Unë jam e zonja e vetvetës sime dhe as atëherë e as tash nuk po kërkoj asnjë lloj ndihme nga opinioni publik, por dëshiroj që ju të dini se versioni që është publikuar nuk është i plotë dhe nuk përputhet me të vërtetën e plotë.

Unë dhe familja ime kemi punuar shumë për të rindërtuar jetën tonë dhe marrëdhënien tonë, dhe këto përpjekje kanë sjellë fryte. Ne jemi një familje e lumtur me 4 fëmijë të mrekullueshëm dhe kemi një jetë të mirë.

Nëse ju keni ndonjë pyetje mbi situatën tonë, ju lutem që të kontaktoni me ne në mënyrë private dhe të keni kujdes në trajtimin e çdo historie private dhe personale në të ardhmen.

Me respekt,

Teuta Mahmutaj Gashi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *