Pas 24 vitesh, synohet të kthehet në muze shtëpia ku u vranë 53 persona

Shtëpia tri katëshe në Poklek të Drenasit, që ruan kujtimet e dëshmitë e masakrimit të 53 personave, 23 nga ta fëmijë, pret ende dorën e shtetit për të ruajtur ato dëshmi.

Kjo shtëpi po synohet të kthehet në muze, 24 vjet pas luftës. E familjari që humbi 14 anëtarë të familjes, e që u kujdes që edhe gjaku i tyre të mos fshihet, për të dokumentuar krimin që u bë aty nga forcat serbe, i zhgënjyer ende pret që ndonjë prokuror e hetues, të shohë këto dëshmi.

Kjo shtëpi në Poklek të Vjetër të Drenasit, nga oborri e deri në kulm, mban kujtime por mbi të gjitha dëshmi të masakrimit e djegies së 53 personave gjatë prillit të 1999 nga forcat serbe.

Për ruajtjen e këtyre dëshmive, për më shumë se dy dekada u kujdes Fadil Muqolli, të cilit në këtë shtëpi forcat serbe ia vranë 14 anëtarë të familjes, në mesin e të cilëve të gjithë familjen e ngushtë, gruan, 4 fëmijët dhe prindërit.

Megjithëse, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memorialeve, investoi më shumë se 100 mijë euro, kjo shtëpi 3 katëshe nuk u kthye asnjëherë në muze.

Por, kjo po synohet të bëhet këtë vit.

Fadil Muqolli, që e ka ruajtur shtëpinë ashtu siç u la më 17 prill të 1999, thotë se e mirëpret një nismë të tillë, mirëpo ka një kërkesë drejtuar institucioneve.

“Po kom biseduar, më kanë kontaktuar puna ka filluar para dy viteve, kam qenë shumë i lumtur mirëpo thirrja ime është që të kenë kujdes më shumë edhe si punohet edhe cka punohet, edhe si duhet të punohet… Po njeri më i lumtur në botë jam nëse kthehet në një muze, sepse këtu gjithë shqiptarët ngado që janë duhet të dinë cka ka ndodhe dhe me kënd kemi pas të bëjëm, këtu është një libër që duhet të e lexojnë të gjithë shqiptarë”, ka thënë për rtv dukagjini.Aktualisht, sipas Bislim Zogajt që drejton Agjencinë për Menaxhim të Komplekseve dhe Memorialeve, nuk ka buxhet për këtë projekt por që kanë shpresë se do të sigurohet.

“Për ketë vit ai projekt kushton diku rreth 100 mije euro dhe për momentin nuk kemi mjete të mjaftueshme dhe nuk po mund te fillojm me procedurat por po shpresojm se ligji na lejon që në 3 mujorshin e dytë të bejmë disa lëvizje nga projekti në projekt dhe po shpresojm se do i sigurojmë mjetet dhe në 3 mujorshin e dytë do të fillojm me procedurën për realizimin e një projekti që do të jetë një muze besoj që prej muzeve të rralla që ka Kosova ku do të prezantohen reliktet por edhe ngjarja që ka ndodhë në atë shtëpi”, ka deklaruar Zogaj.

Gjaku, librat e rrobat i rezistuan kohës, duke pritur dorën e shtetit, për të dokumentuar krimin që u bë aty, njëjtë sic vazhdon të pres edhe Fadili, që edhe institucionet e drejtësisë ta vizitojnë këtë shtëpi.

“Jo institucionet për drejtësi, të Kosovëës prokuroria për krime lufte, asnjëherë, asnjë prokuror asnjë hetues, edhe jam shumë i zhgënjyer me këtë institucion, se nuk ja vret ndërgjegjien me ardh me pa vendin e krimit, mua më vjen shumë keq edhe jam teper i zhgënjyer, por vetëm një propozim e kam për ta nëse e shohin në media kur të del në media, ata prokuror këta antarë të familjes sime, le t’i marrin le t’i hekun e le t’i qesin antarët e familjes së vet edhe le të ma kthejnë një përgjigje”, ka thënë Fadil Muqolli.

53 antarë të familjes Muqolli, Cerraku, Elshani dhe Hoxha, u vranë e më pas trupat e tyre u dogjën, brenda kësaj shtëpie, prej tyre 23 fëmijë, më i vogli 6 muajsh. /JOQ Kosova

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *