Familja e Sead Kolasinac është traumatizuar mbrëmjen e së premtes, kur futbollisti ishte në fushë me fanellën e Marseille në ndeshjen e Kupës. Disa persona janë futur në shtëpinë e lojtarit dhe kanë marrë sende me vlerë.
Gjatë kryerjes së krimit, në shtëpi kanë qenë vajza dhe partnerja e futbollistit. “20 minutes” shkruan se e bija e Kolasinac është traumatizuar nga ngjarja e ndodhur, ndërkohë që theksohet se nuk janë lënduar fizikisht nga grabitësit.
Në lidhje me dëmin e bërë në shtëpinë e lojtarit të Marseille nuk ka informacione për momentin, ndërkohë që policia ka nisur hetimet. Kolasinac menjëherë është angazhuar për të rritur nivelin e sigurisë në shtëpinë e tij.
Para katër vitesh, Sead ishte protagonist i një tjetër ngjarjeje. Futbollisti u përlesh me dy grabitës që tentuan t’i vidhnin orën luksoze shokut të tij tek Arsenali, Mesut Ozil. Grabitësit ndodheshin mbi motor dhe reagimi i boshnjakut i bëri ata të largoheshin duarbosh. Kohë më vonë edhe u arrestuan.