Në seancën e dytë plenare të tetorit e cila do të mbahet të enjten, Parlamenti Evropian pritet të votojë një rezolutë lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku.
Debati për këtë çështje është mbajtur të martën në Parlamentin Europian.Sipas një agjende të dërguar për KALLXO.com, votimi i dokumentit që quhet “Rezoluta për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat në veri të Kosovës”, pritet të bëhet prej orës 12:00 deri në 14:00.“Kjo nuk është agjenda përfundimtare, por sipas saj votimi për Kosovën do të jetë të enjten, më 19 tetor”- thuhet në përgjigjen e parlamentit për KALLXO.com.
Po ashtu, KALLXO.com ka kërkuar të dijë përmbajtjen e draft – rezolutës por sipas përgjigjes, i njëjti nuk është i disponueshëm aktualisht.“Drafti i tekstit gjithashtu nuk do të jetë i disponueshëm vetëm pak para fillimit të seancës së ardhshme plenare”- ka thënë Snjezana Kobescak, zyrtare për media në Parlamentin Europian.Rezoluta është prezantuar nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian.
Në debatin e zhvilluar të martën, më 3 tetor, pati shumë kritika për politikën e BE-së ndaj Serbisë. Disa eurodeputetë bënë thirrje për hetim ndërkombëtar dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, tha se Bashkimi Europian bashkë me NATO-n duhet të dalin me një plan sigurie për veriun e Kosovës.
“Ne duhet të veprojmë, BE-ja bashkë me NATO-n duhet të dalin me një plan sigurie për veriun e Kosovës. Përforcimi i trupave të KFOR-it është i domosdoshëm. Unë ftoj Gjermaninë dhe vendet tjera të Bashkimi Europian të ndjekin shembullin e Britanisë së Madhe për të dërguar trupa shtesë”- tha ajo.Von Cramon tha se vrasja e policit Afrim Bunjaku ishte goditje ndaj paqes, sigurisë, jetës normale në veri të Kosovës.
Ndërsa, eurodeputetja holandeze, Tineke Strik, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me vite në heshtje është lejuar ta minojë stabilitetin në rajon.Strik tha se është shokuar me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur në një sulm terrorist të kryer nga një grup i serbëve të armatosur u vra polici Afrim Bunjaku.Ajo tha se ndonëse ishte e shokuar, nuk ishte e befasuar.E komisioneri europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiq, ka thënë se retorika e Beogradit është tejet shqetësuese. Ai ka thënë se ky është alarm i fortë që situata në veri të Kosovës është tejet serioze.Sipas tij, është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund ta përshkallëzojë situatën.
“Retorika nga Beogradi sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën dita e zisë është shpallur, ajo që është e qartë në këtë fazë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që shkon në kundërshtim me thirrjet e BE-së për shtendosjen e situatës”- ka thënë ai.