Para takimit me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç’in në Bruksel për të diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe njëherit kryenegociatori i palës kosovare, ka takuar Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi.
Takimin në fjalë e ka lajmëruar vetë diplomat hungarez, Varhelyi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter.
Sipas Varhelyit në takim me Bislimin ndër të tjera është diskutuar se çfarë do të jetë në gjendje të bëjë Komisioni Evropian në rast se dialogu Kosovë-Serbi arrin rezultate pozitive.
“Diskutuam për axhendën e reformës së BE-së dhe detyrat që na presin dhe se si Komisioni do të jetë në gjendje të ndihmojë në zbatimin e rezultateve kur dialogu Kosovë-Serbi të jetë i suksesshëm”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.