Njëri nga pronarët e klubit të natës ‘Zone’ si dhe disa lokaleve tjera të njohura në kryeqytet, Dekorim Sahiti, ditë më parë është përballur me një kërcënim serioz nga një person.
I dyshuari atje kishte nxjerrë armën e llojit kallashnikov dhe e kishte kërcënuar Sahitin, i cili është detyruar që rastin ta denoncojë në organet e rendit.
Njësitë policore me të marrë informatën kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, ndaj të cilit është iniciuar rasti për dy vepra penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës, kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.
Si pasojë e përsëritjes së veprës, i dyshuari dje është ftuar sërish për intervistim, ku me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.