Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
“Sot nga ora 9:00 deri në ora 16:00 kisha nderin dhe privilegjin e veçantë të takoja për orë të tëra miqtë e mi z. Hashim Thaqi, z. Kadri Veseli, z. Rexhep Selimi, z. Jakup Krasniqi, z. Hysni Gucatin, z. Nasim Haradinaj dhe z. Pjetër Shala.” – njoftoi Lekaj.
Më tej, Lekaj ka thënë se takimi i ish-liderëve të UÇK-së ishte një emocion i veçantë për të. Anëtari i AKK-së po ashtu tha se ata janë e kaluara e lavdishme, e tashmja shtetndërtuese dhe e ardhmja historike e Kosovës.
“Një emocion i veçantë për mua të takoj sot në rrethana krejtësisht të palogjikshme, njerëzit të cilët janë e kaluara e lavdishme, e tashmja shtetndërtuese dhe e ardhmja historike e Kosovës. Të gjithë pa përjashtim po qëndronin krenarë dhe të palëkundur ngase kjo është vetëm një sfidë e radhës ndër dhjetra të tjera, në këto tri dekada sfide sa do e padrejtë, por të bindur që do të arrijnë ta ngrisin në piedestal pastërtinë e luftës tonë për liri e shtet. Ndër shumë momente sot që më bënë krenar ishte edhe takimi i shkurtër me Komandat Calin. I pathyeshëm dhe shumë i bindur që në fund do të dalë triumfues. Në fund të gjithë pa përjashtim më thanë të ju përcjell urimet më të mira në vigjilje të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.” – tha Lekaj.