Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i është përgjigjur pyetjes se për çfarë arsyesh ishte zgjedhur pikërisht Ohri për takimin e sotëm mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ka një kohë që ndërmjetësuesit kanë kërkuar nga ne që të prezantojmë shembullin tonë. Kompromiset të cilat është dashur t’i bëjmë ne kanë qenë të dhimbshme. Jo gjithmonë kanë qenë popullore.” – u shpreh fillimisht Osmani në një prononcim për Klan Kosovën.
Ai u shpreh se Maqedonia e Veriut, dhe më specifikisht Ohri, do të shërbente si shembull para Kosovës dhe Serbisë – dhe duket se kështu është menduar edhe nga Bashkimi Evropian.
Dy nga tre marrëveshjet e Kombeve të Bashkuara janë në Maqedoni të Veriut për çështje identitare. Dhe jo rastësisht ka qenë kjo përpjekje që të na involvojnë ne në prezantimin e një shembulli të tillë…” – vazhdoi tutje argumentet e tij ai.
“Sot ne jemi faktorë stabiliteti në rajon… dhe sigurisht se komuniteti ndërkombëtar ka vlerësuar se ky shembull do të vlejë për palët,” – përfundoi fjalën e tij për këtë çështje ai.