Osmani pret zyrtarin e BE-së: Serbia e orkestroi, grupe terroriste e paramilitare e ekzekutuan sulmin në Banjskë

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka mirëpritur sot në takim zyrtarin evropian, Marko Makovec, Zëvendësdrejtor menaxhues për Evropë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së.

Siç edhe pritej, në këtë takim është diskutuar sulmi terrorist serb në Banjskë, për çka Osmani ka theksuar se Serbia duhet të ndëshkohet.

Sipas Presidentes, është jetike që Serbia të parandalohet për të mirën e rajonit.

Pas aktit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, Presidentja Osmani vuri theksin tek rëndësia që Serbia të mbahet përgjegjëse përmes masave konkrete nga BE-ja. Ajo nënvizoi se parandalimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të të gjithë rajonit tonë është kyç”, njofton komunikata.

Osmani tutje ka thënë se ky sulm ishte i përgatitur dhe i orkestruar nga Serbia, dhe i ekzekutuar nga grupe terroriste e paramilitare, gjë që e faktojnë dëshmitë e mbledhura nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Në fund, shefja e shtetit ka theksuar edhe përkushtimin e Kosovës në bashkëpunim me aleatët, si dhe me EULEX-in dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës që të punojë ngushtë me partnerët e saj për t’i tejkaluar sfidat e krijuara nga ky akt i agresionit, duke përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm të institucioneve tona me ato ndërkombëtare e sidomos ato të sigurisë, përfshirë EULEX-in”, thuhet në komunikatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *