Presidentja e Kosovës ka ndarë pamje nga pjesëmarrja në inaugurimin e presidentit të Malit të Zi, Jakoviq milatoviq.
Teksa e ka uruar homologun e saj për detyrën, Osmani ka potencuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta demokratike, besimin e ndërsjellë dhe historinë e lidhjeve të fuqishme të popujve dhe shteteve.
“Përcaktimi i qartë i popullit tonë për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike nënkupton domosdoshmërinë që të vazhdojmë të ndërtojmë bashkëpunimin tonë të fortë dhe të mbrojmë vlerat që ndajmë dhe për të cilat kemi luftuar shumë për t’i ndërtuar dhe ruajtur. Derisa kontinenti ynë e gjen veten në këtë pikë kritike, është thelbësore që ne të qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin dhe rrugën tonë drejt institucioneve euroatlantike.” – citohet të ketë thënë ajo.
Ndërkohë, në pamje Osmani shihet krahas disa liderëve të rajonit, duke përfshirë edhe presidentin e ri të Malit të Zi.