Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur lidhur me procesin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të shtunën që lamë pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në një konferencë për media gjatë vizitës së saj në Klinikën Gjinekologjike dhe Obstetrike në QKUK, Osmani ka kritikuar qasjen e partnerëve ndërkombëtarë në raport me Kosovën, duke thënë se e kanë trajtuar në mënyrë shumë të pabarabartë.
Ajo ka thënë se është informuar për dokumentet dhe versionet e ndryshme që i janë ofruar delegacionit kosovar dhe të njëjtat i cilëson si të tmerrshme.
“Me kryeministrin jemi takuar siç takohemi gjithnjë, edhe para takimit të kryeministrit në Bruksel edhe pas kthimit jemi takuar dhe kemi diskutuar në detaje para se të shkojë në Ohër. Jemi konsultuar edhe gjatë takimeve në Ohër, dhe jemi takuar edhe pasi ka përfunduar dakordimi në Ohër ku jemi informuar në detaje jo vetëm për dokumentet, versionet e ndryshme që kanë qenë para kryeministrit dhe delegacionit të Kosovës, të cilat dua ta them këtu, janë versione të tmerrshme të cilat Republika e Kosovës është shumë mirë që nuk i ka pranuar, pavarësisht presioneve jashtëzakonisht të padrejta, të cilat e kanë trajtuar Kosovën në mënyrë shumë të pabarabartë me palën tjetër, kur vërtetë janë propozuar gjëra të tilla, të cilat nganjëherë për mua si presidente është vështirë edhe të besoj që dikush nga komuniteti ndërkombëtar vërtetë e merr një iniciativë të tillë që të propozojë gjëra të tilla që të vendos vetëm njërën palë në pozitë kaq të pabarabartë”, tha Osmani.
Tutje e para e vendit foli edhe për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilin tha se ka lënë shumë gjëra të paqartësuara. Ajo tha se Bashkimi Evropian ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë.
“Është arritur që në fakt të vijë deri te një aneks që për fat të keq, shumë gjëra ka lënë të paqartësuara. Shumë, shumë gjëra në aneks kanë mbetur të paqartësuara. Sepse aneksi është dashur që të paraqes detaje se si do të zbatohen edhe pikat e tjera, cilat do të jenë penalizimet pastaj për moszbatim ta zëmë të nenit 4 nga ana e Serbisë, por Bashkimi Evropian e ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë, që mendoj se si qasje po e rrezikon procesin e dialogut”, përfundoi Osmani.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.
BE-ja ka thënë se në të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.
Pajtimi i shprehur në Ohër nga Kurti dhe Vuçiq, ndonëse nuk është nënshkruar, është pritur me kritika si nga opozita në Prishtinë, ashtu edhe nga ajo në Beograd.