Iniciatori i kampanjës për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në Shkolla, Durim Berisha, ka komentuar deklaratat e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit rreth çështjes së shamisë.
Berisha është shprehur se për këtë punë, do të flasë Gjykata.
“Që në start jemi përgatitur që këtë çështje ta fitojmë përmes rrugëve gjyqësore. Ashtu edhe do të ndodhë. Por ku po mbeteni ju? Ku po dalloni nga paraardhësit tuaj? Ju dalloni nga ta vetëm për faktin se jeni frikacak, tinëzar e shume ma t ‘padijshëm se ta. Ne gjyq do te këtë rëndësi se çka thotë ligji, e jo forumet e partisë”, ka shkruar Berisha ndër të tjerash.
Ai theksoi se Nagavci u ka thënë atyre që ta ndalnin fushatën për shaminë në rrjetet sociale.
“U korit edhe ministrja e arsimit znj. Arbërie Nagavci, e cila na lutej e përgjërohej me e ndal fushatën ne rrjete sociale, sepse nuk e duronte dot presionin publik. Dhune e konsideronte nje koment dhe një hashtag. Dhune ka qene ajo çka LVV i bënte institucioneve te Kosovës, e jo fushatat demokratike”, shkruan tutje Berisha.
E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se e drejta e shkollimit nuk do t’i mohohet askujt.
Pa dhënë ndonjë sqarim konkret rreth iniciativës që të lejohet bartja e shamisë në shkolla, Nagavci ka thënë se nuk ka ndonjë Udhëzim Administrativ për shaminë.
Ajo ka thënë se do t’i koordinojnë veprimet formale tash e tutje.
“Dua të bëjë të qartë se nuk ka ndonjë Udhëzim Administrativ për shaminë. Nuk ka pasur asnjëherë sa e di. Gjithë kjo fushatë që është ngitur në kohët e fundit nuk është e qartë. UA që i janë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punë në shkolla të mesme të larta. Ka disa çështje ligjore ky Udhëzim. rekomandimet janë dhënë që ai udhëzim të mbetet në fuqi. Do të shohim se si ta rregullojmë tutje në aspektin formal. E drejta për shkollim është e drejtë e garantuar, e askujt nuk i mohohet e drejta”, u shpreh Nagavci në konferencë për media.