​Opozita kritikon mazhorancën për pagesat e serbëve të shpallur terroristë nga Qeveria

Opozita kritikon mazhorancën për pagesat e serbëve nga shteti, ani pse nuk shkojnë në punë. Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 800 mijë euro për pagesat e 129 personave të këtij komuniteti. Kështu u tha gjatë shqyrtimit gati tri orësh të raportit vjetor të auditimit të buxhetit të Kosovës për vitin e kaluar nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Deputetë të opozitës kanë kritikuar pushtetin për pagesa të serbëve, të cilët janë pjesë e organizatave tashmë të shpallur terroriste nga qeveria. Ministri i Financave, Hekuran Murati u shpreh se ka edhe deputetë të cilët nuk shkojnë në punë dhe paguhen, për çka duhet të ndëshkohen.

Auditorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca tha se ky raport ka opinion të kualifikuar, meqë vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyra financiare ka qenë materiale.

Spanca shtoi se janë 129 punonjës të komunitetit serbë të cilët janë paguar vitin e kaluar edhe pa u evidentuar në punë.

“Është edhe çështja e pagesave në vlerë prej afër 800 mijë euro, për punonjësit të komunitetit serb të angazhuar në bazë të marrëveshjes se Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë. Në krahasim më vitin e kaluar janë ndërmarrë disa masa. Nga 199 sa ishin në vitin e kaluar, këtë vit kanë mbetur 129 punonjës të shpërndarë në 4 ministri, dy ministri veç kanë ndërmarrë masa për akomodimin apo ndaljen e pagesave për punonjës të cilët nuk e vijojnë punën”, shtoi ajo.

Në mbledhjen e sotme të këtij deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj kërkoi informacione, në qoftë se gjatë këtij viti janë ndërprerë këto pagesa.

“Këtë vit kjo organizatë është shpallur terroriste dhe kur kjo organizatë është shpallur terroriste të gjithë ata pjesëtarë që kanë qenë pjesë e kësaj strukture, besoj që është dashur të mos paguhen më. A vazhdojnë t’i paguajmë ata njerëz që kanë punuar për institucionet që janë shpallur terroriste?”, ka pyetur Qalaj.

Për këtë nuk ka qenë në dijeni, ministri i Financave, veçse ky i fundit ka kritikuar deputetët e opozitës për mosvijueshmëri në punë. Më pas ka reaguar deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e cila tha se Murati po i krahason ata me serbët.

Murati-Bytyqit: Ndryshone rregulloren që të mos paguhen deputetët pa shkuar në punë
(Video)

Murati: A ka deputetë Kuvendi i Republikës së Kosovës që merr pagë pa ardhur në punë?

Bytyqi: Kush janë ata, ti duhet t’i cekësh me emra.

Murati: Pse nuk po e rregulloni këtë që të mos paguhet dikush që nuk vjen në punë në kuved?

Bytyqi: Ti je qeveria, ti duhet ta rregullosh.

Murati: Qeveria nuk e rregullon këtë është rregullorja e punës së kuvend. Për rregulloren e punës të kuvendit nevojiten 2/3, a jeni të bindur ju që nuk duhet të paguhet dikush që nuk shkon në punë. Urdhëroni ndryshoni rregulloren”, kanë debatuar ata.

Në mbledhjen e sotme të këtij Komisioni, Spanca ka përmendur edhe keqklasifikimin e 5 milionë e 600 mijë euro si shkak i buxhetimit jo adekuat.

Spanca: Janë keq klasifikuar 5 milionë e 600 mijë euro si shkak i buxhetimit jo adekuat
(Video)

“Shpenzimet në vlerë rreth 10 milionë e 400 mijë euro janë klasifikuar në kategori jo adekuate. Prej tyre, si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keq klasifikuar 5 milionë e 600 mijë euro, për shkak të vendimeve gjyqësore afër 3 milionë e 800 mijë euro , ndërsa si të ndikuara nga vetë Organizatat Buxhetore vlera e keq klasifikimeve është afër një milion euro. Megjithatë, në raport me vitin paraprak kishte përmirësime në vlerë prej 3 milionë euro. Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale, llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontingjente dhe detyrimeve të papaguara të Raportit Financiar vjetor të buxhetit të shtetit kishte shpalosje të vlerave të gabuara në vlerë materiale. Nënvlerësimi i pasurisë është evidentuar në vlerë rreth 55 milionë e 900 mijë euro, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme afër 1 milion e 900 mijë euro si dhe mbivlerësim i detyrimeve kontingjente për 16 milionë e 100 mijë euro”, tha ajo.

Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë vitit 2022 nuk ka arritur që të kryejë auditimin e pasqyrave financiare për katër komunat në veri të vendit.

Auditorja e përgjithshme theksoi se borxhi shtetëror në fund të vitit të kaluar ka shënuar rritje për katër për qind.

Spanca: Borxhi shtetëror vitin e kaluar kishte arritur vlerën prej 1 miliard e 753 milionë euro
(Video)

“Borxhi shtetëror në fund të vitit 2022, kishte arritur në vlerë 1 miliard e 753 milionë euro apo rreth 20% e BPV-së. Borxhi i brendshëm ishte 1 miliard e 112 milionë euro, ndërsa borxhi ndërkombëtar ishte 641 milionë e 200 mijë euro. Në raport me vitin e kaluar borxhi i përgjithshëm ka shënuar një rritje për 4%. Sfidë mbetet mos efikasiteti në shfrytëzimin e fondeve të marra si hua të jashtme i shkaktuar kryesisht nga problemet me menaxhimin e projekteve infrastrukturore. Niveli i shpenzimit të këtyre fondeve nga borxhi ndërkombëtar mbetet i ulët (për shtatë (7) projekte/kredi në vlerë prej 177 milionë euro të ratifikuara përgjatë viteve 2017 deri 2022, nuk janë tërhequr fare mjetet financiare. Në këtë nivel të ulët të shpenzimit ka ndikuar planifikimi jo i mirë i projekteve, vonesat në procesin e shpronësimeve si dhe mangësi tjera”, tha ajo para anëtarëve të këtij komisioni.

Spanca tha se shpenzimet e të hyrave të vitit të kaluar në buxhetin e shtetit ishin më shumë dy miliardë euro.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami u shpreh se për këtë ka ndikuar rritja e inflacionit në vend.

“Pjesa më e madhe e të hyrave është si rezultat i shkallës së inflacionit të ultë, i cili ka mbizotëruar gjatë komplet vitit 2022. Për shembull nëse e shohim realizimin e të hyrave, ne kemi parë gjatë realizimit të të hyrave që 1,8 miliardë janë vetëm inkasomë në Doganën e Kosovës, 1,2 miliardë është TVSh e mbledhur dhe diku 500 milionë euro janë në emër të akcizës”, deklaroi ajo.

Në lidhje me këtë ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se inflacion më të lartë kanë pasur edhe në vendet tjera të rajonit, por që nuk ka reflektuar në të hyrat e tyre buxhetore.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se nga raportet e publikuara të auditimeve të rregullsisë dhe performancës, kanë evidentuar 51 raste të dyshimta të cilat i kanë dërguar te Prokurori i Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *