Opozita i kërkon Kurtit që t’i zbatojë obligimet e marra në dialog

Në prag të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, opozita i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të jetë i qartë në pozicionet e tij në procesin e dialogut me Serbinë.

Ata kanë ftuar shefin e ekzekutivit që t`i zbatojë obligimet e marra në këtë proces.

Sipas tyre, zbatimi i këtyre obligimeve është në të mirë të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Valon Murtezaj, ka vlerësuar se Kosova nuk mund të iu ik obligimeve që dalin nga marrëveshja e pranuar.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se vetëm në këtë mënyrë i hiqet barra Kosovës.

“Në takimin e ardhshëm të dialogut, që pritet të mbahet më 14 shtator, Qeveria e Republikës së Kosovës, si palë e procesit, duhet të jetë e qartë në pozicionin dhe sjelljen e saj. Çfarë nuk duhet pranuar nuk duhet pranuar. Por, pjesët e dakorduara tanimë duhet të zbatohen. Kjo do t’i ndihmonte Kosovës në këtë fazë”, ka shkruar Murtezaj.

Edhe zyrtari i PDK-së, Bekim Çollaku, ka thënë se vetëm duke i kryer obligimet që Kosova i ka marrë në këtë proces mund të hiqen masat ndëshkuese.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës në mënyrë të qëllimshme nuk po i zbaton kërkesat e aleatëve.

“Kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për deeskslimin e gjendjes në veri të vendit, janë të qarta. Në anën tjetër, qeveria dhe kryeministri Kurti nuk i kanë përmbushur qëllimisht ato kërkesa. Kjo qasje e papërgjegjshme e qeverisë është duke e irrituar BE-në dhe shtetet anëtare të saj. Tendencat e qeverisë për të manipuluar apo blerë kohë edhe më shumë me veprime të paqarta dhe të përgjysmuara, nuk do të sjell asnjë përfitim”, ka thënë Çollaku.

Ai ka paralajmëruar se Kosova mund të ballafaqohet me sanksione të reja, nëse Qeveria nuk reflekton.

“Prandaj, për aq kohë sa nuk përmbushën tërësisht kërkesat e BE-së, sanksionet do të mbesin në fuqi dhe rrezikojmë që të ballafaqohemi edhe me ndëshkime shtesë. Kryeministri Kurti është i vetëdijshëm se ka pranuar një marrëveshje të keqe për Kosovën, dhe në këmbim të saj, Kosova nuk ka përfituar asgjë. Si rrjedhojë, kthimi në normalitet dhe zbatimi i marrëveshjes së arritur, nuk përkon fare me interesin personal dhe të partisë që udhëheq kryeministri Kurti. Asociacioni dhe autonomia e zgjeruar për serbët e cila është në thelb të marrëveshjes Kurti- Vuçiç, është ankthi konstant për Kurtin dhe partinë e tij”, ka thënë ai.

Takimi i 14 shtatorit

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë me dije se më 14 shtator pritet të jetë takimi i radhës i nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Ndonëse data është caktuar, ende nuk dihen temat e takimit të cilat pritet të diskutohen.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se shumë shpejt do të mësohet edhe agjenda e takimit.

“Takimi i radhës i nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE planifikohet të zhvillohet me 14 shtator. Për agjendë e plotë e këtij takimi të njoftoheni ditëve në vijim”, ka thënë Kryeziu.

Për herë të fundit Kurti dhe Vuçiq janë takuar më 2 maj të këtij viti, pas zgjedhjeve në veri.

Gjatë kësaj kohe, ka ndodhur një krizë e madhe në veri, pas veprimit të Qeverisë për t`i dërguar kryetarët e zgjedhur në objektet komunale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *