Opozita e pakënaqur nga takimi me Kryeministrin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka ftuar në takim krerët e partive opozitare për të shpalosur dakordimet e fundit në tavolinën e negociatave me Serbinë. 

Pas takimit me shefin e qeverisë, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj janë ndarë të pakënaqur, duke thënë se kryeministri nuk u ka thënë dicka të re sa i përket bisedimeve. 

Sipas tyre, informacione më të detajuara për këtë proces kanë marrë nga diplomatët amerikano-evropianë javën e kaluar.

Kryetari i LDK-së ka thënë se në takim nuk kishte asnjë risi.

“Konsideruam se ftesa ishte e vonshme, dy javë pas takimit të Brukselit. Ndërkohë partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, informimi ishte më i thellë sesa nga kryeministri. Kryeministri bëri një prezantim të 6 pikave të njohura tashmë për publikun, nuk pati ndonjë risi”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka vlerësuar se dialogu i copëzuar të cilin po e bën aktualisht qeveria është i dëmshëm për Kosovën.

Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kurti duhet të ketë kujdes të shtuar në procesin e dialogut me Serbinë.

“Ia kam tërhequr vërejtjen Kurtit për strategjinë e Serbisë që të shkohet me marrëveshje një nga një dhe rrezikut që nëse Serbia arrin ndonjë sukses me marrëveshjen e Asociacionit, ajo do të çohet nga tavolina dhe të mos e vazhdojë më dialogun. Ngjashëm ka vepruar edhe në konferencën e Rambujesë”, është shprehur Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ka shtuar se BE-ja ka kryer një punë të rëndësishme, duke shtuar se tani me këtë proces duhet të merren SHBA-të.

“Unë besoj shumë që është me rëndësi dhe ia thashë kryeministrit Kurti që BE-ja ka kryer një punë të rëndësishme në dialog, por rrethanat kanë ndryshuar dhe BE nuk është më neutrale tashmë sikurse e gjithë bota është në luftë me Rusinë. Mendoj që është koha që edhe Kurti zyrtarisht të kërkojë që çështjen e dialogut ta kalojë te presidenti Biden sepse në këtë formë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes por edhe garanca në implementim”, ka deklaruar Haradinaj.

E në këtë takim nuk mori pjesë kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK), njëherësh parita më e madhe opozitare në vend. Në letrën ku i ka kthyer përgjigjje Kurtit, ka deklaruar se nuk e sheh emergjent këtë takim pasi që nuk është koha për të diskutuar për përgjegjësitë që i takojnë qeverisë.

“Aktualisht, e tëra që po shohim është se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik, duke përfshirë riciklimin e marrëveshjeve të kaluara. Sa i takon zbatimit të përgjegjësive që keni si udhëheqës i Dialogut, unë ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj dhe te qeverisë për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundim të ligjit dhe lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por, nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjëgjësi tuajat.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *