Pa shtesa, pa mbushje telefoni, pa mëditje e pa benefite të tjera, 1722 euro pagë bazë në muaj merr secili deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kjo shifër është e njejtë si për këta deputetë të pushtetit e opozitës që marrin pjesë në seanca, votime e komisione, e edhe për deputetët që këto ulëse i lënë thuajse gjithmonë të zbrazura.
Paga e re që për deputetët është rritur 150 euro me ligjin për paga, pashmangshëm u takon edhe deputetëve të rinj të Listës serbe, të cilët që nga 17 nëntori kur bënë betimin, nuk kanë shkelur më në kuvend.
Por, këtë ua lejon rregullorja e kuvendit, e cila kërkon vetëm një paraqitje në 6 muaj që mandati i deputetit të vazhdojë të jetë i vlefshëm, cka është shfrytëzuar në cdo legjislaturë nga ky minoritet.
Kjo po praktikë e bojkotit të tyre po shihet problematike e me pasoja në Institutin Demokratik të Kosovës.
“Unë pres që ata do të vazhdojnë të ndjekin një qasje të tillë, pra për të penguar punën e Kuvendit, gjë që në fakt ka lën pas shumë procese, përfshirë Vettingun, për çka na nevojiten ndryshime kushtetuese; çështje të tjera si reforma zgjedhore, e shumë procese në të cilat vota e tyre është përcaktuese”, tha ai për RTV Dukagjinin.
Eugen Cakolli nga KDI, bën me dije se shoqëria civile kishte propozuar sanksionet financiare, për mungesat e deputetëve por e njejta nuk ishte votuar nga këta të fundit në kuvend, pasi ato sanksione do t’i preknin edhe vetë ata, të cilët nuk janë të rrallë në mungesa.
“Puna e deputetëve shihet si punë me orar të plotë, pra jo vetëm pjesëmarrja në një seancë e pastaj kompensimi për të, por duhet të shihet si punë përmbajtësore ku deputetët angazhohen çdo ditë për përmbushjen e detyrave të tyre”.
Keqpërdorim të vullnetit të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë po e konsideron nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike Arbnor Sadiku qasjen e deputetëve të Listës serbe.
“Mendoj se kjo formë e participimit në Kuvend nga deputetët e Listës Serbe është një keqpërdorim i vullnetit të popullit dhe qytetarëve serbë që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thotë ai.
Sadiku ka theksuar se pavarësisht mospjesëmarrjes në seanca dhe komisione, përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës vazhdojnë të shfrytëzojnë edhe benefitet e tjera që përfitohen nga shtetit si pagesat për karburante, mbushje të telefonit dhe të tjera