Nuk ka vetadministrim e as vetëqeverisje, ka veç njohje de-facto mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në nenin 7 të propozimit evropian flitet për vetmenaxhim të komunitetit serb për një nivel adekuat vetmenaxhimi.

Kreu i qeverisë tha se mes Kosovës dhe Serbisë ka vetëm njohje “de facto” e jo vetadministrin e as vetqeverisje.

“Askund Nuk ka kurrfarë autonomie për serbët lokal në Kosovë. Ata janë qytetarë të Republikës sonë dhe unë jam kryeministër edhe i atyre. Në nenin 7 flitet për vetmenaxhim të komunitetit serb për një nivel adekuat vetmenaxhimi. Kjo do të thotë që kemi referencë veçse te marrëveshja kornizë e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Nuk ka vetadministrim, nuk ka vetqeverisje, ka veçse njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kryeministri Kurti në një intervistë dhënë për emisionin “Wake Up” në Top Channel.

Por, kryeministri i vendit gjithashtu u shpreh se në Kosovë nuk mund të ketë njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike, pasi siç theksoi ai ‘privilegji për dikë, mund të jetë diskriminim për dikë tjetër”.

“Unë nuk jam për t’i diskriminuar, shtypur, shfrytëzuar apo marxhinalizuar serbët. Ne shqiptarët kemi qenë një shekull nën sundimin serb, nuk do të përsërisim asgjë të ngjashme dhe as nuk do të na shkoj mendja asnjëherë, mirëpo gjithashtu nuk mund të kemi super minoritet në Kosovë. Nuk mund të kemi njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike apo religjioze sepse privilegji për dikë, bëhet diskriminim për dikë tjetër. Andaj unë ju garantoj që nuk do të ketë kurrfarë solucionesh jo transparente e që e minojnë Kushtetuetshmërinë tonë dhe rendin republikan e demokratik””, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë ka folur edhe për vizitën e tij të dielën në Tiranë me krerët e shtetit atje, ndërsa ka treguar se i ka njoftuar ata për procesin e dialogut me Serbinë si dhe për Marrëveshjen e Brukselit më 27 shkurt atë të Ohrit më 18 mars.

“Unë takova tre krerët e institucioneve, presidentin Begaj, kryetaren Nikolla dhe kryeministrin Rama dhe pastaj ish-presidentin Meta. Qëllimi im ishte që në gjysmë të mandatit të vij dhe të takohem me krerët e shtetit shqiptar ashtu që t’i njoftoj pak se ku ndodhet qeverisja jonë, por sidomos t’i njoftoj ata për procesin e dialogut me Serbinë për marrëveshjen e normalizimit që kemi arritur edhe në Bruksel më 27 shkurt edhe në Ohër më 18 mars. Meqenëse ka shumë mos kuptime, keqkuptime, keqinterpretime dhe desha që nga dora e parë të njoftohem për ecurinë e procesit negociator dhe për elementët përmbajtsore e të tjera të kësaj marrëveshje e cila është një arritje e madhe për normalizim të marrëdhënieve që nënkupton se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mos jenë normale, pa çka se Kosova është vend normal e demokratik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *