Njohës të sigurisë: Mund të ketë dorëheqje të tjera të serbëve nga Policia e Kosovës

Para një muaji u rreshtuan në radhët e Policisë së Kosovës. Por vetëm një muaj pasi morën detyrën, 7 policë të rinj serbë dhanë dorëheqje.

Shqetësimin për dorëheqjen e tyre nga detyra e kanë shprehur ambasadorët e huaj në Kosovë dhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë , EULEX, por edhe krerët institucionalë të Republikës së Kosovës.

Njohës të çështjeve të sigurisë paralajmërojnë se mund të ketë sërish dorëheqje të tyre në rast se nuk ndalen kërcënimet e Serbisë në raport me ta.

“Burimi i kërcënimit është presidenti I një vendi fqinj, Vuçiq përmes ekstremistëve të tij. Që nga diplomimi i 42 policëve serb nga 74 të komuniteteve jo shumicë, ata i targetuan në media duke kërcënuar. Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme të mbaj rend edhe me forcat e veta por interesi edhe i drejtorisë së përgjithshme edhe krerëve të institucioneve të Kosovës që t;I kthejnë në veprim pjesëtarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha për RTK, eksperti Nuredin Ibishi.

Kurse eksperti Drizan Shala, tha se policët nga komuniteti serb sipas të gjitha gjasave janë në presion të jashtëzakonshëm të strukturave kriminale të mbështetur nga Beogradi zyrtari.

“Mund të presim që gjatë javëve në vijim do të kemi numër më të madh të zyrtarëve policor nga komuniteti serb që do të japin dorëheqje”, tha ai.

Në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për ri regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS.

Për të përmbushur vakumin e krijuar pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë shpallën konkurs për pranimin e policëve të rinj.

Në korrik 74 policë të rinj nga komunitetet jo shumicë filluan punën në Policinë e Kosovës.

Nga ky numër, 46 i përkisnin vetëm komunitetit serb, 7 prej të cilëve tashmë kanë hequr dorë nga uniforma e Policisë së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *