Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Ukshin Hotin, në 24-vjetorin e zhdukjes së tij.
Ngjashëm pati vepruar edhe sot një vit, ku zhdukjen e politikanit patriot dhe intelektualit e konsideronte si “zhdukje me dhunë”.
Por, një vit pas, Kurti ka ndryshuar terminologjinë e tij nga “të zhdukur me dhunë” në “të zhdukur me forcë”, pikërisht në 24-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti.
Sot, Kurti u shpreh se “zhdukjet me forcë gjatë luftës” ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve.
Ai, përmendi edhe deklaratën me të cilën Kosova e Serbia u pajtuan për të zhdukurit, ku tha se shteti serb ka hyrë në obligim ndërkombëtar me Kosovën për të dhënë çdo informacion për “të zhdukurit me forcë në luftën e fundit në Kosovë”.
“Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës”, tha Kurti.
Derisa një vit më parë, në 23-vjetorin e zhdukjes së Hotit, Kurti shkruante: “Është edhe një nga 1617 personat e zhdukur me dhunë në Republikën e Kosovës, nga lufta e fundit”.
“Jemi zotuar e kemi marrë për detyrë parësore të këmbëngulim te Serbia, si përgjegjëse për zhdukjen e tij, dhe çdo qytetari tjetër tonë, që sa më shpejt të zbardhet fati i të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ishte shprehur Kurti.