Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me tragjedinë e ndodhur mëngjesin e sotëm në Kroaci. Një zjarrfikës, i cili ishte ndër të parët që shkoi në vendngjarje ka treguar për mediat momentet e para të ngjarjes së rëndë. Ivan Ivančan , komandanti i DVD Breznički Hum, ekipi i të cilit me katër zjarrfikës dhe katër automjete ishte ndër të parët në vendi i aksidentit tha:
“Ishte e tmerrshme. Është si të shikosh filma horror. Ne morëm një telefonatë rreth orës 5:50 të mëngjesit. Ne po nxirrnim të vdekurit, ishin më shumë se 10. Autobusi u përplas në kanal dhe e gjithë pjesa e përparme e autobusit ishte e dëmtuar. Autobusi dukej sikur ishte përplasur në një mur. Një shofer fluturoi nga xhami i përparmë dhe tjetri ishte në autobus. Unë nuk kam përjetuar diçka të tillë që kur kam qenë zjarrfikës dhe jam 60 vjeç tani Kishte shumë ambulanca, zjarrfikës, policë. Ne bëmë gjithçka që mundëm për të nxjerrë viktimat dhe të plagosurit.“
Siç është raportuar edhe më herët të paktën 12 persona humbën jetën dhe më shumë se 30 të tjerë janë plagosur. Dyshimet e para në lidhje me këtë ngjarje të rëndë është që shoferin mund ta ketë zënë gjumi.