Një prind e ka përshkruar një natë qëndrimi në Klinikën e Pediatrisë në QKUK me fëmijën e tij. Ai tha se një infermiere kujdeset për 24 pacientë.
Uran Haxha përmes një postimi në Facebook, ka përshkruar vështirësitë që hasin pacientët për të marr shërbime në Klinikën e Pediatrisë, shkruan Insajderi.
Sipas tij, krejt kjo vije për shkak të mungesës së mjekëve dhe infermierëve, si dhe infrastrukturës së dobët në objektin e vjetër të kësaj klinike.
Haxha ka treguar se si bashkë me prind të tjerë me fëmijë të sëmurë me vjellje, barkqitje e temperaturë, kanë pritur në radhë të gjata për t’i vizituar mjeku në emergjencën e klinikës pasi aty kujdestaron vetëm një mjek/e.
Haxha ka shkruar se edhe pasi janë pranuar në repart aty ka parë mungesën e inferemierëve.
“Fatkeqësisht është vetëm ajo motër edhe për tjera gjëra, jo vetëm për pranim. Ajo duhet të kujdeset për 24 fëmijë, për pranimin e të rinjve, për dërgimin e analizave, për reagim në dhoma, për kanillat, për infuzionet, për dreqin e të birin”, ka shkruar ai.
“Unë nuk e kuptoj pse, si dhe me çfarë indeference menaxhohet QKUK-ja, kur e sheh që ka një fluks të madh në atë repart”, ka shkruar Haxha.
Në kohën që po shkruaj këtë status dhe ca kohë përpara kushdo që ka fëmijë të vegjël e din se çfarë virusi i keq po sillet dhe po u sjell fëmijëve të vjella dhe barkqitje të tmerrshme. E pashmangshme po jetë hospitalizimi dhe marrja e shërbimeve nga QKUK-ja.
Megjithatë, menaxhmenti i QKUK-së nuk e ka parë të arsyeshme që në Emergjencën e Pediatrisë ta rrisë numrin e doktorëve në pranim, të paktën në dy gjatë kujdestarisë. Radha e fëmijëve me të vjella e barkqitje, me temperaturë, nuk shterron, por vazhdon veç një doktor/e, sikur të jetë kohë normale. Kjo më shtyn të mendoj që menaxhmenti është jashtë realitetit.
Sikur të përfundonte me kaq, edhe mund ta kalonim disi. Mirëpo, nuk përfundon me kaq. Një infermiere vjen të marrë fëmijët që do të shtrohen në spital nga ana e vjetër, tek ana e re. Ngjitja në katin e dytë dhe kalimi nëpër një urë, është kalim në të paktën 30 vite vjetërsi infrastrukturore. Nga gjithçka me ndriçim, me hapësirë të nevojshme, me dyer e dritare të mira, kalon në diçka të arrnuar tek spitali i vjetër. Aty më krijohet përshtypja që shefat, ministrat, drejtorat vizitojnë vetëm përdhesat e spitaleve.
Fatkeqësisht është vetëm ajo motër edhe për tjera gjëra, jo vetëm për pranim. Ajo duhet të kujdeset për 24 fëmijë, për pranimin e të rinjve, për dërgimin e analizave, për reagim në dhoma, për kanillat, për infuzionet, për dreqin e të birin. Ndonjëherë janë edhe dy infermiere, por më shumë një. Në një moment kur erdhën dy prindër me dy fëmijë të sëmurë, që një prej tyre ishte 5-javësh, u desh që prindërit tjerë t’i shkonin në ndihmë infermierës, ngaqë skishte si ta lidhte kanillën, të nxirrte gjakun nga vena, të mbante epruvetën, të izolonte kanillën dhe të procedonte tutje. As fizikisht nuk ishte e mundur. Ankesa më nuk bënin, ngaqë e kishin kuptuar se askush nuk ua dëgjon.
Ato ndonjëherë edhe reagojnë keq, ndonjëherë edhe vonohen, por nuk kishin faj. Nuk mbulohej nga një njeri.
Kjo ishte vetëm në Repartin e Gastroenterologjisë Akute, se për reparte tjera s’mund të flas. Por, ato thonin se e njëjta gjendje është.
Unë nuk e kuptoj pse, si dhe me çfarë indeference menaxhohet QKUK-ja, kur e sheh që ka një fluks të madh në atë repart. Shpresojmë për ditë më të mira!