Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor si pasojë e zjarrit i cili ndodhi sot rreth orës 00:15 në Klinikën e Psikiatrisë të Qendrës Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), shkruan Neutral.al.
Lajmin për mediumin Neutral.al, e ka konfirmuan zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka thëën se një dhomë është përfshirë nga zjarri dhe ende shkaqet e zjarrit nuk dihen.
“Sot rreth orës 00:15, është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri. Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor”,ka thënë Ahmeti.
Tutje ajo ka shtuar se policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore.
“Aktualisht policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka shtuar ajo.
Edhe komandanti i brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka thënë se në një dhomë ishte ndezur zjarr dhe si pasojë e zjarrit kishte mbetur i vdekur një person.
Ai tha se pas fikjes së zjarrit, zjarrfikësit kanë bërë ventilimin e klinikës.
Ndryshe, edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), konfirmoi se mbrëmë si pasojë e një zjarri në njërën nga dhomat e Klinikës së Psikiatrisë, ka humbur jetën një pacient.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Për shkak të tymit, thuhet se i gjithë ekipi kujdestar u asfiksua, e po ashtu edhe një paciente tjetër.
“Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente. Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës”, përfundon njoftimi./neutral.al