Nis procesi dëgjimor mbi rastin e dhunimit të 11 vjeçares, gjykimi zhvillohet i mbyllur

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar të mbahet seanca e parë dëgjimore për rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

Para trupit gjykues doli Ekrem Rexhepi dhe Shkëlqim Kamberi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ekrem Rexhepi ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Shkëlqim Kamberi ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.

Adnan Isufi gjyqtari i këtij rasti vendosi që për shkak të mbrojtjes së integritet dhe personalitet të të dëmtuarës dhe për të siguruar një gjykim të drejtë edhe për të pandehurit, gjykimi të zhvillohet i mbyllur.

Blendin Sadiku, Gezim Sadiku, Driton Rrahmani, Muhamet Restelica, Flamur Sadiku dhe Muhamet Sadiku dyshohen se kanë keqpërdorur seksualisht 11-vjeçaren dhe kanë kryer veprat penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi”.

Ndërkaq, lidhur me rastin janë shkarkuar edhe dy drejtorë të Policisë.

Nga pozita e drejtorit të Policisë rajonale të Prishtinës është larguar Fahredin Verbovci ndërkaq, Shkëlzen Xhafa nga ajo e Shefit të Operativës për kryeqytet.

Ndërsa, për shkarkimet e tyre, njoftimi u bë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe pse shkarkimet bëhen nga menaxhmenti i Policisë.

Kreu i Qeverisë ka thënë se përgjegjësi duhet të mbajnë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Po ashtu, dorëheqje nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës pati dhënë Samedin Mehmeti.

Ndërsa, për të dyja rastet të dyshuar janë 12 persona, tashmë të gjithë të arrestuar.

Si ndodhi ngjarja?

Kjo ngjarje e tmerrshme ka ndodhur fillimisht në parkun e Dragodanit në Prishtinë, për të vazhduar më pas në një lokacion tjetër të panjohur.

Ekrem Rexhepi dhe vëllai i tij i mitur, G.Rexhepi, Xh.S., G.J., dhe Shkelqim Kameri, dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht për rreth shtatë orë një 11-vjeçare.

Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, G.R., Xh.S. dhe G.J., dhunuan vajzën e mitur, në lagjen Arbëria në Prishtinë, për të shkuar më pas aty edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi, të cilin e ka thirrur vëllai i tij, G.Rexhepi.

Ekremi po dyshohet se ka shkuar deri aty me veturën e tij ‘PickUp’ dhe e ka marrë vëllain dhe dy të miturit e tjerë të dyshuar bashkë me vajzën që po përjetonte tmerrin. Rrugës, te varrezat dyshohet se ka zbritur G.Rexhepi dhe i mituri Xh.S, ndërsa me Ekremin kishte vazhduar i mituri tjetër G.J.

Ata u larguan nga ai vend për një lokacion tjetër, ku pas një periudhe të shkurtër, Ekremi dyshohet se ka ndaluar veturën dhe e ka dhunuar vajzën e mitur. Për të mos mbaruar me kaq kjo ngjarje makabre, Ekremi dyshohet se më pas e ka thirrur edhe Shkelqimin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *