Ngrihet aktakuzë ndaj kirurgut që sulmoi fizikisht kolegun e tij në Spitalin e Gjilanit

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj kirurgut, Luan Mustafa, i cili më 16 janar të këtij viti kishte sulmuar kolegun e tij kirurgun, Arbër Morina, në Spitalin Regjional në Gjilan.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” të ngritur më 21 shkurt 2024, thuhet se i akuzuari Luan Mustafa më 16 janar 2024 në orën 14:05 në Spitalin Rajonal të Gjilanit, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj kirurgut, Arbër Morina, i cili mban pozitën ushtrues detyre i shefit të repartit të Kirurgjisë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte hyrë në zyrën e të dëmtuarit i revoltuar ndaj tij, pasi ky i fundit kishte paraqitur vërejtje ndaj të pandehurit me pretendimet për parregullsi të sjelljeve profesionale, dhe pasi i dëmtuari i shkruan këto vërejtje dhe i kërkohet nga Drejtoria e Spitalit të deklarohet me shkrim, i pandehuri ka shkuar në zyrën e të dëmtuarit dhe i mllefosur ka filluar t’i kërkoj llogari për vërejtjet e paraqitura.

Sipas aktakuzës, i dëmtuarit i ka kërkuar të pandehurit që ta liroj zyrën e tij, por i pandehuri i ka hudhur dokumentet në tavolinë duke i thënë “merri këto dhe pastroj sytë”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se viktima disa herë kishte kërkuar nga i akuzuari që ta liroj zyrën, por Mustafa e kishte mbyllur derën dhe e kishte goditur me grusht në fytyrë dhe nga buza e viktimës kishte filluar të rrjedhë gjak. Më pas i dëmtuari kishte tentuar ta largoi nga zyra e tij, por i akuzuari e kishte sulmuar prapë dhe e kishte shtrënguar me forcë në krahë dhe e kishte shtyrë kah muri tek dritarja e zyrës. Pas kësaj, i akuzuari, thuhet se, e ka kapur për fyti edhe duke dal nga zyra e viktimës e ka kërcënuar me fjalët “nuk përfundon me kaq, kam me ta nxjerr shpirtin”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri e ka mohuar se e ka sulmuar fizikisht viktimën, Arbër Morina. I njëjti e ka pranuar se ka qenë në zyrën e të dëmtuarit për shkak të vërejtjeve që i njëjti ia kishte bërë, por se sipas tij ndërmjet tyre ka pasur një debat verbal, por jo edhe rrahje.

Me këtë veprim, sipas Prokurorisë, i akuzuari Mustafa ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.Më 16 janar 2024, Policia e Kosovës (PK) kishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë kirurgun Luan Mustafa, nën dyshimin se sulmoi fizikisht kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, në Spitalin Regjional në Gjilan.

Ndryshe, i dyshuari Luan Mustafa vitin e kaluar është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se bashkë me anesteziologun Halil Basha kanë kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”. Ndaj tyre Gjykata Themelore në Gjilan kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *