Ka disa simptoma që i prisni kur jeni shtatzënë, si të vjellurat në mëngjes dhe dëshira për disa ushqime që ndoshta më parë nuk i keni ngrënë.
Por, mund të mos jeni njohur me disa ndryshime të tjera, që edhe ndodhin më rrallë.
Një profesor dhe drejtor i Qendrës Klinike të Mësimit të Anatomisë në Universitetin Lancaster, Adam Taylor, foli rreth këtyre ndryshimeve.
“Disa nga ndryshimet që do të përjetoni gjatë shtatzënisë janë më pak se ideale, të gjitha ato janë krijuar për të siguruar që fëmija të zhvillohet siç duhet në mitër”, u shpreh ai,
Sipas tij janë disa nga ndryshimet e çuditshme që gratë mund të përjetojnë gjatë shtatzënisë, duke filluar nga ndryshimet në madhësinë e hundës, shkruan The Sun.
“Hunda juaj mund të duket ndryshe për shkak të rritjes së konsiderueshme të hormoneve që rrjedhin nëpër trup gjatë shtatzënisë. Një prej tyre është estrogjeni, i cili relakson enët e gjakut në të gjitha indet e trupit dhe kështu lejon më shumë gjak në indet e hundës. Kjo mund të bëjë që ajo të zgjerohet dhe të ndryshojë formën, duke u dukur më e madhe dhe më e fryrë se sa para shtatzënisë”, u shpreh ai.
Ai tregoi se ky është një ndryshim i përkohshëm dhe pas shtatzënisë, hunda do të kthehet në formën normale.
Adam Taylor tha se pos ndryshimit në hundë, ndryshime mund të ketë edhe në zemër, për të cilën tha se pompon shumë më shumë gjak në kohën e shtatzënisë.
“Zemra juaj do të duhet të punojë shumë më shumë për të pompuar më shumë gjak rreth trupit tuaj dhe të vogëlushit tuaj, duke rrahur deri në tetë herë më shumë në minutë. Për disa, sasia e gjakut që qarkullon në të gjithë trupin e tyre mund të dyfishohet për të siguruar që foshnja të ketë oksigjen të mjaftueshëm për të mbështetur zhvillimin e tij”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu tregoi se ndryshime gjatë shtatzënisë mund të ketë edhe në ngjyrën e lëkurës, sidomos rreth syve, hundës, mjekrës dhe buzëve.
Taylor u shpreh se në këto pjesë të fytyrës zakonisht errësohet lëkura, por ndryshime të tilla mund të ndodhin edhe në gjoks.
Rritja më shumë se zakonisht, ose rënia më e madhe e flokëve janë poashtu një ndryshim që mund të ndodh gjatë shtatzënisë.
“Ky proces zakonisht shkaktohet nga tronditja e shtatzënisë në trup, duke bërë që qimet të kalojnë në fazën e ‘pushimit’”, u shpreh ai.