Një edukatore e institucionit parashkollor “Xixëllonjat” në Prishtinë ka përfunduar dje në Polici, pas denoncimit të nënës së një fëmije, e cila e ka denoncuar për dhunë. Nëna e fëmijës 2-vjeçar ka raportuar në Polici se mësuesja e ka rrahur djalin e saj, të cilit i ka shkaktuar lëndime.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se rasti është denoncuar në Polici gjatë ditës së djeshme, ku viktima ka dhënë versionin e sajpër dhunën që pretendon se edukatorja ka ushtruar ndaj fëmijës derisa ishte në kopsht.
Posa rasti është denoncuar, hetuesit janë vënë në lëvizje, duke ftuar edhe palën tjetër për intervistim, me ç’rast edhe ajo ka dhënë deklaratë për detajet dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.
Siç mëson Sinjali, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë brenda këtij institucioni, që do provojnë përfshirjen ose jo në këtë rast të personit të denoncuar.
Deri më tani, burimet thonë se ende nuk është iniciuar rast e as nuk është lëshuar urdhër për arrestimin dhe ndalimin e edukatores.