Kjo ditë është simbolika e ekuinoksin pranveror. Edhe pse në një masë të madhe ka filluar të reduktohet kremtimi i ritit, në shumicën e fshatrave të Opojës dhe Prizrenit tradita vazhdon. Vezët e ngjyrosura, luletherrët në dyert e shtëpisë, kënga e vallja rreth zjarrit, dhe pastrimi i oxhaqeve, e simbolizojnë këtë festë.
Në trevën e Opojës dhe në disa fshatra të rrethinës së Prizrenit, të premten është shënuar Dita e Verës (“Dita e Verzës”), që është një rit iliro-shqiptar, tradicional, me elemente pagane dhe që tradicionalisht festohet më 12 e 13 mars. Festa e Verzës është festuar që nga lashtësia, por edhe pse në një masë të madhe ka filluar të reduktohet kremtimi i ritit, në shumicën e fshatrave tradita vazhdon. Si e kremte zgjatë dy ditë (nata dhe dita e festës). Në lashtësi banorët besonin se largimi i stinës së dimrit bëhej me ngjizjen që bënin hyjnitë e maleve dhe që sjellin pranverën. Dhe kjo ditë është simbolika e ekuinoksin pranveror. Në fshatin Plavë të Opojës, riti i Verzës fillon në majën e Kodrës që është një vend i lartë mbi fshat, mbi “Lisin e Vove” (Lisi i Vezëve). Kjo mbase ka të bëj me kultet e lashtësisë së popullit shqiptar. Kodrat e larta dhe malet, në kohët e lashta ishin maja të nderimit pagan. Nga shumë studime të bëra sqarohet se në besimet pagane shqiptare Dielli ishte objekt adhurimi, dhe atij i faleshin gjatë ditës. Dielli adhurohej si burim jetese, burim shëndeti, burim pjellorie dhe i objekt dobiprurës.
Dita e Verës (Dita e Verzës) është një festë që ngjallë ndjenja gëzimi e kënaqësie në çdo familje dhe që shton frymëzimin jetësor se tashmë stina e ftohtë e dimrit ka përfunduar, dhe po fillon pranvera. Për këtë Ditë të Verës bëhen dhe disa rituale pagane. Ka dhe disa elemente të ngjashme me festën e Pashkëve, si psh: vezët e ngjyrosura, lagësja e tyre me ujë mali, apo dhe luletherret që vendoseshin në dyer të shtëpisë, etj. Vezët e ngjyrosura janë simbolika e festës. Në të kaluarën në Natën e Verzës vajzat në grup dhe me def vallëzonin dhe këndonin:
“Lum, e lum xhi duel vera,
na u mbush fusha dhen e shtjerra.
Na u mbush fusha dhen e shtjerra,
gjymca të bardha, e gjymca të zeza”.
Askush nuk e di se kur ka nisur ë shënohej kjo festë . Në të kaluarën ishte zakon që për këtë ditë të “shkundej” shtëpia, pra të pastroheshin oxhaqet, gjë që simbolizon se dimri tashmë ka përfunduar. Sipas traditës, në fshatin Plavë (Opojë), deri para luftës së fundit (1999), pasditen e festës së Verzës, disa vajza të reja në grup dhe fëmijët, merrnin vezë të ziera, dhe dilnin në Kodër, rrëzë malit, pastaj poshtë pranë fshatit të vendi quajtur “Lisi i Vove” (Lisi i vezëve). Atje vezët i lagnin me ujë mali. Aty qëndronin për një orë duke kënduar dhe kërcyer. Kur ktheheshin nga Kodra në shtëpi, me vete merrnin drurët nga Rakite, dëllinja për të pastruar oxhaqet, luletherre për t’i vendosur në dyer të shtëpisë. Ndërsa djemtë e rinj (beqarët), pasditen e festës së Verzës, ndiznin zjarr, me dëllinja dhe kashtë, ku për disa orë vallëzonin, e këndonin rreth e rrotull zjarrit. Kur këta ktheheshin në shtëpi, kryefamiljares së shtëpisë sipas traditës i thoshin:
”Oj e zota e shtëpisë, a je si të kemi lënë?”.
Kryefamiljarja përgjigjej:”Jem, po qysh jem, një, dy më tepër i kam”.
Pastaj në familje përgatitej specialiteti i Flisë. Dhe kur shkonin në gjumë, djemtë dhe vajzat e futnin nga një copë fli nën jastëk, për ta zbuluar se “kah e kanë fatin e jetës” (me kënd do të martohen). Po ashtu në mesnatë zgjoheshin. Djemtë beqarë ndiznin zjarre brenda në fshat, ku këndonin dhe vallëzonin. Ndërsa në familje, natën e festës së Verzës, e zonja e shtëpisë e merrte gjilpërën dhe qepte ndonjë rrobe me pe të kuq, dhe anëtarët e familjes duhej ta pyesin plakën:
”Xhi po kepish?
E zonja e shtëpisë përgjigjej:
syr me lie, syr me lesh,
goja e ukit me kërpesh,
bollës, gjarpnit, armikit, po ia guzhdoj,
natën e verzë, ditën e mojtë”
(v.j:Çka po qep, syri nga liri, sy me lesh,
gojë e ujkut me presh,
bollës, gjarprit, armikut, po ia gozhdoj;
natën e verzës, ditën e majtë”).
syr me lie, syr me lesh,
gojën daskalit po ia gozhdoj;
(Gojën dhaskalit po ia gozhdoj.
Dhaskal (gr.didaskalos)- mësues. Fjalor i fjalëve të huaja, Prishtinë, 1988, faqe 155). Dy, tre ditë pas kremtes së “Verzës” fshatari bujk e mbillte tërshërën në ara, si kulturë e parë pranverore.