Qytetet e fshatrat e Kosovës janë përballur me vërshime të mëdha e ujëra të rrëmbyeshëm. Shumë rrugë janë bllokuar duke e bërë të pamundur qarkullimin e veturave e të qytetarëve. Disa komuna kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshe.
Si rrjedhojë në komunën e Mitrovicës, Skenderajt dhe të Klinës të premten nuk do të mbahet mësim
Duke e parë gjendjen e krijuar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, ku në disa fshatra qarkullimi është vështirësuar në masë të madhe, Drejtoria Komunale e Arsimit, në konsultim me drejtorë të shkollave dhe prindër, ka vendosur që nesër, ditë e premte, të mos mbahet mësim në shkollat e komunës së Klinës. Vendimi është marrë për shkaqe të sigurisë së nxënësve, ndërsa për hapat tjerë do të informohen drejtorët e shkollave”, thuhet në njoftimin e komunës së Klinës.
Ndërkaq, komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se dita e humbur e mësimit do të kompensohet në një të shtune.
“Kjo ditë do të kompensohet një të shtune, për të cilën do të ju informojmë me kohë. Stafi udhëheqës dhe ai teknik i shkollave duhet të jenë në punë, për ta mbikëqyrur situatën dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për përgatitjen e objekteve shkollore, për fillimin e mësimit në ditën e hënë”, thuhet në njoftimin e DKA-së në Mitrovicë.
Njoftimin se nuk do të mbahet mësim të premten e ka bërë edhe komuna e Skenderajt.