Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike. Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Hoqë e Madhe në Rahovec, raporton Gazeta Sinjali.
Konflikti mes tyre dyshohet se nisi pas një zënke, e cila pasoi me sulm, me ç’rast dyshohet se dy palët e kanë rrahur njëri-tjetrin, duke pësuar lëndime trupore, për çka u desh edhe ndërhyrja e Policisë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se ngjarja dyshohet se ndodhi në shtëpinë e burrit në rrugën, kur fillimisht ai dyshohet se kishte raportuar rastin, nën dyshimet se ishte viktimë e dhunës së ushtruar nga bashkëshortja. Por pas marrjes së informacioneve të para, u zbulua se të dy bashkëshortët janë rrahur mes vete dhe që të dy janë intervistuar si të dyshuar.
Sinjali mëson se çifti nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi për shkak të problemeve të mëhershme, por ende s’kanë marrë vendim për t’u divorcuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas marrjes së deklaratave nga të dyja palët, kanë nisur hetimet ndaj tyre, për veprën penale “Dhunë në familje”.