Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministres të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari që ta shfuqizojnë vendimin e çmimit tavan për derivatet e karburanteve, pasi sipas tyre, kompanitë me këtë praktikë janë duke shkuar buzë falimentimit.
Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani në një deklaratë për Sinjalin e quajti “skandaloz” vendim e Qeverisë.
“Vendimi i fundit i Qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan të derivateve, është skandaloz pasi që çmimi i vendosur shitës është nën çmimin blerës. Çmimi blerës për Naftë, sot është: 1.75 Euro, dje ishte: 1.68 Euro, ndërsa pardje: 1.66 Euro. Ndërsa çmimi tavan i vendosur nga Qeveria për nafte është: 1.67 Euro”, u shpreh ai.
Sipas Berjanit, kompanitë janë duke operuar me humbje “trashanike, dhe shumë shpejt shumë nga kompanitë do të falimentojmë për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë në vendosjen e çmimit tavan. Ku si kompanitë e mëdha po ashtu ato individuale me kosto më të ulët të operimit janë barazuar”.
E në rast se vazhdon kjo praktikë, Berjani paralajmëroi se me mijëra punëtor do të mbesin pa punë.