Murati vazhdon sulmet ndaj Prokurorisë Speciale, përmend kallëzimin penal për rrugën Kijevë-Zahaq

Ministri i Financave, Hekuran Murati, përsëri ka sulmuar Prokurorinë Speciale pas arrestimeve të fundit për dyshimet e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Ai këtë herë nuk ia ka përmendur emrin, por ka lënë të kuptohet se bëhet fjalë për prokurorin Milot Krasniqi.

Murati edhe në shkrimin e tij të dielën, ka përmendur kallëzimin penal që ka bërë në Prokurorinë Speciale për rastin e shpronësimeve në rrugën Kijevë-Zahaq.

Ai ka akuzuar prokurorin duke thënë se ka hedhur poshtë kallëzimin penal vetëm pse të përfshirë në këto dallavare kanë qenë “kasta e vjetër politike”.

“Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër.”

“Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni.” – ka shkruar ndër të tjera ai.

Shkrimi i Muratit:

Këtë muaj bëhen 2 vite prejse pata dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale për rastin me keqpërdorimin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq.

Kallëzimit penal ia pata bashkangjitur edhe raportin e auditimit, i cili ndër tjera kishte gjetur se:

– Vlera e pronave që parashihej të shpronësoheshin, në databazën e tatimit në pronë ishte rreth 6 milionë euro.

– Më 17 maj 2019 ishte dorëzuar tabela e vlerësimit, dhe vlera e këtyre pronave ishte vlerësuar 31 milionë euro, pra rreth 5-fish më shumë sesa vlera e vlerësuar për tatim në pronë.

– Më 17 dhjetor 2019, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, edhepse qeveri në dorëheqje, Qeveria e PAN-it e udhëhequr nga Haradinaj, kishte miratuar vendimin për shpronësim përfundimtar, por me tabela tjera të vlerësimit, e jo ato të prezantuara më 17 maj 2019.

Dallimi ishte se nga 31 milionë euro që ishte në tabelën e parë, e që veçse ishte e fryrë, vlera në tabelën e miratuar më 17 dhjetor ishte 43 milionë euro. Pra rreth 12 milionë euro ndryshim për 6 muaj.

Për më tepër, rritja nuk ishte bërë si rezultat i ndonjë ndryshimi në vlerësimin e të gjitha parcelave, por kjo fryrje vinte si rezultat i dyfishimit në vlerë për parcela me pronarë të caktuar.

Si Qeveri që e lufton korrupsionin, krejt çfarë ka qenë në dorën tonë e kemi bërë. Pra, indetifikimin e rastit. Mbledhjen e provave, dhe dorëzimin e tyre në prokurori. Kemi anuluar edhe vendimin për shpronësim, në mënyrë që të mbrohet buxheti nga paditë potenciale.

Një hetim i mirëfilltë i zhvilluar nga prokuroria do të nxirrte në pah edhe arsyet se pse u bënë këto rritje të vlerave, dhe kush i kishte porositur.

Por çfarë ka bërë Prokuroria Speciale?

E hedh poshtë kallëzimin penal.

Këtë e bën me arsyetimin se me vendimin e qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit. Dhe meqenëse nuk ka dëmtim të buxhetit, nuk ka as vepër penale të cilën prokuroria duhet ta hetojë më tutje. Pak a shumë, ky ka qenë arsyetimi.

Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër.

Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *