Mungon materiali, qytetarët mbesin pa pasaporta dhe patentë shoferë 

Ministria e Punëve të Brendshme në Republikën e Kosovës është duke u ballafaquar me probleme të furnizimit me material për dokumente. Këtë e kanë bërë të ditur vetë zyrtarët e këtij dikasteri, derisa qytetarët ankohen se po presin me muaj që të paisen me pasaporta e patentë shoferë.

Pritja për t’u pajisur në formë të rregullt me pasaportë kosovare shkon me muaj.

Problemi me të cilin është ballafaquar edhe më herët Ministria e Punëve të Brendshme, është kthyer sërish, dhe qytetarët janë të frustruar.

“Përafersisht dy muaj edhe prej rrethit tim kanë tregu se kanë pritë njëjtë më muaj me u paisë më pasaportë. Shkaku i mungesës së materialit po thonë. Ka njerëz që kanë nevojë për to e jo që t’ju vonohen”, ka theksuar Gjokaj.

Por edhe për vonesa të dokumente të tjera, përveç pasaportave, ka nga qytetarë që janë në pritje të Agjencia e Regjistrimit Civil në kryeqytet.

“Me 13 kam apliku hala nuk u dal patent shoferi. Nuk ka material as kurgja prej 12 nuk kanë bë asnjë hiq. Veç na kanë njoftu që s’ka”, ka potencuar Syla.

Se mungon materiali për të gjitha dokumentet e kanë pranuar edhe vetë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në arsyetimin e kësaj ministrie përmenden zhvillimet aktuale, por edhe pandemia, si një prej shkaktarëve që kanë nxjerrë telashe me furnizim.

“Për arsye të krizës globale, si dhe pandemisë me COVID-19, furnizimet me material janë vështirësuar. Si shumë shtete të tjera, ashtu edhe ne po kemi vështirësi të furnizimeve me materiale, këto vështirësi i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19. MPB është e përkushtuar që të pajisë të gjithë qytetarët me dokumente, e në veçanti rastet që kanë nevojë urgjente”, kanë thënë Ministria e Punëve të Brendshme.

Përderisa kjo nuk është hera e parë që ky dikaster ballafaqohet më këtë problem, në përgjigjen e kësaj ministrie, nuk jepet ndonjë afat se kur pritet që të sigurojnë sasi të nevojshme të materialit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *