Një dhurues sperme ka mirëpritur fëmijën e tij të parë në Mbretërinë e Bashkuar pas turneut në të gjithë Evropën me synimin për të lënë gra shtatzënë gjatë udhëtimit të tij.
Kyle Gordy nga Los Angeles është baba i 48 foshnjave në të gjithë globin, duke ofruar shërbimet e tij falas për të ndihmuar familjet që luftojnë për të patur një fëmijë.
Në vitin 2021, ai filloi turneun e tij të parë evropian, ku takoi disa nga fëmijët e tij, ndërkohë që kishte ngjizur edhe një mori me gra të tjera.
Me kalimin e viteve, 31-vjeçari mori kritika nga disa profesionistë mjekësorë, të cilët besojnë se metodat e tij nuk janë ‘mjekësore’.
Në rastin e çiftit në Mbretërinë e Bashkuar të cilët do rrisin të birin, ai dha informacione për familjen, arsimin, interesat dhe detaje të mëtejshme.
“Shkova në shtëpinë e tyre, bëmë një prezantim dhe më pas u dhashë spermën time në një filxhan të vogël. Ata hynë në dhomën e tyre të gjumit dhe dy javë më vonë, gruaja ishte shtatzënë”,-tha ai për Mirror.
“Më dërguan mesazh për të thënë se do të lindte pas disa ditësh dhe sapo lindi fëmija, ata më dërguan foto dhe më thanë se sa shumë e donin fëmijën. Ai ka lindur me flokë gështenjë si unë, dhe sy blu si nëna e tij.”
Kyle vazhdoi të shpjegojë se shumica e njerëzve që ai ndihmon me shërbimet e tij janë çifte lezbikesh dhe gra beqare, dhe nuk ka kufi për numrin e fëmijëve që do të ketë.
“Për sa kohë që gratë duan ndihmën time, unë do të jem aty për t’i ndihmuar ato,” tha ai.