Klubi i motoçiklistëve i afërt me Kremlinit i quajtur “Ujqërit e natës” njoftoi se në fillim të majit do të kalojë nëpër Serbi në kuadër të udhëtimit të tyre, i cili planifikohet të përfundojë në Berlin.
Çiklistët e klubit të motoçikletave, i cili është nën sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, u nisën më 29 prill në një udhëtim të quajtur “Rrugët e Fitores”, si pjesë e të cilit ata planifikojnë të kalojnë nëpër disa qytete të Rusisë dhe Ukrainës, dhe më pas të vazhdojnë udhëtimin nëpër Evropë dhe të përfundojnë në Gjermani.
Klubi i motoçikletave, si dhe themeluesi dhe drejtuesi i tij, Aleksandar Zaldostanov, i njohur më shumë si “Kirurgu”, u shtuan në listën e sanksioneve të BE-së në korrik të vitit 2022 për mbështetjen e pushtimit të Ukrainës.
SHBA-ja e vendosi klubin e motoçikletave në listën e sanksioneve në dhjetor të vitit 2014.
Serbia nuk i ka zbatuar sanksionet evropiane kundër Rusisë, as nuk i zbaton ato amerikane.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë nuk ka qenë e disponueshme për koment të menjëhershëm dhe përgjigje nëse do të lejojnë “Ujqërit e natës” të hyjnë në Serbi dhe të kalojnë nëpër territorin e saj.
Informatën se Serbia është në itinerarin e klubit e ka bërë të ditur në rrjetet sociale lideri i maratonës së motoçiklistëve dhe anëtari i klubit të motoçiklistëve, Andrej Bobrovski.
Siç shihet në njoftim, është planifikuar që më 2 maj, në kuadër të fazës së tretë të udhëtimit të quajtur “Evropë – Ballkan”, klubi të niset nga Piroti, në juglindje të Serbisë.
Pirot ndodhet 30 kilometra larg kufirit me Bullgarinë, e cila është anëtare e BE-së dhe zbaton sanksionet evropiane. Klubi i motoçiklistëve nuk ka njoftuar publikisht nëse pjesëmarrësit do të tentojnë të hyjnë në Serbi nga Bullgaria. Radio Evropa e Lirë ka dërguar një pyetje në klubin e motoçiklistëve, por përgjigjet nuk kanë arritur deri në publikimin e këtij teksti.
Nuk dihet se cili shtet është planifikuar nga motoçiklistët pas Serbisë.
Klubi kishte njoftuar më parë se planifikonin që deri më 1 maj të arrinin në qytetin e Volgogradit, dikur Stalingrad, vendi i një beteje të përgjakshme midis trupave naziste sovjetike dhe gjermane që shënoi një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore.
Motoristët do të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore, skenën e luftimeve të ashpra, ku do të shpërndajnë ndihma humanitare për civilët dhe ushtarët rusë siç kanë thënë ata.
Alexander Zaldastanov, i cili e përshkruan veten si mik të presidentit rus Vladimir Putin, mori një medalje nga presidenti rus për rolin e motoçiklistëve gjatë konfliktit në Krime në vitin 2014.
Anëtarët e “Ujqërve të natës” morën pjesë edhe në mitingje në mbështetje të Rusisë në të gjithë Ballkanin./REL