Në fund të muajit maj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë miratuar me 76 vota pro dhe asnjë abstenim Ligjin për Turizmin. Përmes këtij Ligji parashihet edhe çështja e inspektimit të hoteleve dhe moteleve, raporton Gazeta Sinjali.
As tre muaj pas, ky Ligj nuk po arrin që të aplikohet për shkak të procedurave administrative, të cilat po zhagisin gjithë procesin e inspektimit ku mund të identifikohen hotelet dhe motelet të cilat nuk kanë një filtër klientësh, por pranojnë aty edhe persona të mitur të cilët abuzohen seksualisht.
E gjithë kjo, dyshohet se ndodhi shkaku që punonjësit e hoteleve dhe moteleve, nuk kërkojnë nga klientët e tyre mjetin e identifikimit. Lidhur me këtë çështje ka folur për Gazetën Sinjali kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva.
Është e rregulluar me ligj, nuk guxon me pranu në motel pa e evidentu pa e kërkuar letërnjoftimin, nuk ka të drejtë hiç me pranu, e ka raste që anashkalohet kjo. Inspektorati i Tregut e ka për detyrë me shku me i kontrullu, sepse këta e mbulojnë këtë sektor këtë fushë” – tha Sogojeva.
Sogojeva tha se edhe pse Ligji për Turizimin ka hy në fuqi ne qershor të këtij viti e cila e rregullon çështjen e inspektimeve, ky ligj për tre muaj nuk ka mundur të aplikohet për shkak të procedurave administrative dhe merr kohë deri sa të caktohen detyrat specifike të inspektorëve.