Mjeku Astrit Bimbashi deklaroi se nga ana praktike, do të ishte e pamundur që mjekët të ndërhynin pas vrasjes së gruas shtatzënë, H.M., për të shpëtuar foshnjen e saj.
Bimbashi u shpreh se koha për të ndërhyrë ishte vetëm 7 minuta, pasi aq është koha që një foshnja të mund të dilte i gjallë, pas vdekjes së 35-vjeçares.Megjithatë, Bimbashi nënvizoi se teorikisht, foshnja mund të shpëtohej.
“Në raste të tilla, që shpresojmë të jenë të rralla dhe të jetë i fundit natyrisht, mendoj që ndërhyrja e mjekëve nga ana praktike do ishte e pamundur. Duhet të kemi parasysh që kjo histori është 7 minuta.
Llogarite tani që nuk është e thjeshtë që nga oborri i spitalit, të bëhet një ndërhyrje e tillë për të shpëtuar jetën. Në 7 minuta nuk kemi çfarë gjykojmë më sepse nëna është e vdekur, nuk ka nevojë për narkozë, mjafton të nxjerrësh foshnjën. Teorikisht, them edhe një herë që është e mundur”, theksoi ai në Euronews Albania.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja rreth ngjarjes së rëndë në Kosovë, ku H.M. u vra me armë zjarri nga ish-bashkëshorti Sokol Halili më 30 nëntor.
Mësohet se autori Sokol Halili u arratis në Davidovc të Shtimes. Pas lokalizimit të tij, policia fillimisht largoi anëtarët e familjes nga shtëpia, ndërsa i dyshuari nuk pranoi negocimin me policinë dhe qëlloi veten me pistoletë. Ai humbi menjëherë jetën.
Policia ka informuar se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator pa fishekë dhe një predhë.