Disa garuese për “Miss Universe Indonezia” kanë bërë ankesa në polici duke akuzuar organizatorët për abuzim seksual.
Garuesve iu kërkua të hiqnin bluzat për “kontroll të trupit” dhe fotografi dy ditë përpara finales më 3 gusht, tha një nga avokatët e tyre.
Organizatorët dyshohet se iu thanë grave se duhej “të ekzaminonin çdo plagë, celulit ose tatuazh në trupat e tyre”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv .
“Ndjej se të drejtat e mia janë shkelur”, tha një nga garueset.
“Më ka ndikuar mendërisht. Kam pasur probleme me gjumin,” tha ajo, duke folur për mediat, së bashku me ankueset e tjera, në fillim të kësaj jave. Televizioni lokal ua turbulloi fytyrat në transmetime për të mbrojtur identitetin e tyre.
Mellisa Anggraeni, një avokate që përfaqëson tre nga garueset që u ankuan, tha se shumë të tjera do të dalin përpara.
Policia në kryeqytetin Xhakarta lëshoi një deklaratë duke thënë se do të hetojë rastin. Organizata Miss Universe Indonesia do të hetojë akuzat, tha në një deklaratë pronarja e saj e famshme Poppy Capella. Organizata globale Miss Universe tha gjithashtu se ishte duke e shqyrtuar këtë çështje dhe se i merr “shumë seriozisht” akuzat.