Ministria e Shëndetësisë hap fushatën për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit

Ministria e Shëndetësisë sot e ka hapur fushatën për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit, me moton “Zbulimi i hershëm-shpëton jetë”.

Në hapje ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti i cili tha se me angazhim të përbashkët, me investime në sistemin shëndetësor dhe me rritjen e vëmendjes dhe vetëdijes për rëndësinë e ekzaminimeve rutinore, mund ta minimizojnë rrezikun.

Ai gjithashtu tha se Qeveria është duke punuar, që terapitë për llojet e kancerit, të ofrohen përveç në nivelin terciar, edhe në nivelin sekondar të shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë ka miratuar, dhe se e kanë në zbatim Planin e ri të Veprimit për Edukim dhe Promovim Shëndetësor (2023-2025), përmes të cilit synojnë përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së popullatës, ku rëndësi i jepet edhe ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Ai tha se Strategjia Sektoriale Shëndetësore e Shëndetësisë (2023-2032) e cila miratohet së shpejti, adreson gjithashtu problematikën e sëmundjeve malinje ku përveç parandalimit parashihet edhe ngritja e kapaciteteve të reja si diagnostike ashtu terapeutike, përfshirë edhe krijimin e Qendrës për kujdes paliativ të përhershëm, një hallkë kjo që sipas tij, ka munguar brenda shërbimeve për personat e prekur nga sëmundjet malinje në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *