Ministria e Rozeta Hajdarit jep tender rreth 60 mijë euro për bileta udhëtimi (Dokument)

Rreth 60 mijë euro do të shpenzohen nga buxheti i shtetit për bileta udhëtimi jashtë vendit për nevojat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Për këtë, kjo ministri tashmë ka dhënë edhe një tender.

Ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, që kohët e fundit u përpall me skandale të shumta, duke filluar nga afera me rezerva shtetërore, ka njoftuar se ka dhënë kontratë për “shërbime të transportit ajror”, shkruan Ballkani.info.

Siç bëhet e ditur në dosjen e tenderit të publikuar në KRPP, MINT-i do të blejë rreth 150 bileta për periudhën një vjeçare.

Blerja e këtyre biletave do të bëhet për stafin e MINT-it të cilët do të bëjnë udhëtime zyrtare në vende të ndryshme të botës. Derisa, në njoftim nuk janë bërë të ditura relacionet e këtyre udhëtimeve.

Tenderin për shërbime me bileta e ka fituar kompania “As Travel Club”, e cila do të përfitojë plotë 57 mijë e 1 euro.

Ndërsa për këtë tender ka ofertuar vetëm kjo kompani.

Po ashtu, MINT-i ka treguar edhe disa kritere strikte që duhet t’i përmbush kompania fituese. Madje, është kërkuar që kompania fituese të jetë në dispozicion 24 orë.

“Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje të sigurojë shërbimet e lartpërmendura, duke përfshirë ofrimin e aviobiletave gjatë orarit të punës (e hënë deri të premten 8:00-16:00) gjithashtu duhet të ofroj shërbime jashtë orëve normale të punës, si edhe gjatë fundjavave dhe festave. Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje për të garantuar Shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë dhe duke ofruar emrat e personave të kontaktit, emailat dhe numrin e telefonit kjo do të jetë si kusht pas nënshkrimit të kontratës (kjo është një kërkesë e detyrueshme). Ofruesi i shërbimeve duhet të ofrojë ndihmë personave në udhëtimet zyrtare dhe t’i informojnë ata menjëherë për çdo ndryshim, anulim ose probleme me udhëtimet e tyre”, thuhet në dosjen e tenderit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *