Ministri Krasniqi tregon se si do të dorëhiqen kryetarët e komunave në veri

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi gjatë ditës së sotme ka folur për procedurat ligjore për dorëheqjen e katër kryetarëve në komunat në veri.

Krasniqi tha se grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar udhëzimin administrativ, për nisjen e peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga komunat.

Ai shtoi se ky nuk është një udhëzim administrativ për veriun e Kosovës, por se është një udhëzim administrativ që buron prej ligjeve për vetëqeverisje lokale, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë drafin e udhëzimit administrativ… dhe mandej të jetë gati nga shtatori si udhëzim administrativ në të cilin mund të deklarohen qytetarët të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve”, tha Krasniqi, më 2 gusht, gjatë përurimit të një salle sportive në një fshat të Lipjanit.

“Çka është e rëndësishme të përmendet ky nuk është një udhëzim administrativ për veriun e Kosovës, është një udhëzim administrativ që buron prej ligjeve për vetëqeverisje lokale dhe një gjë të tillë munden nesër qytetarët ta shfrytëzojnë për pakënaqesitë e tyre. Jam i bindur që grupi punues do të jetë shumë profesional dhe do të punoj me kujdes ketë udhëzim administrativ”, tha Krasniqi para mediave gjatë përurimit të një salle sportive në Lipjan.

Ai shtoi se largimi i kryetarëve nga zyret është i përcaktuar me ligj dhe se nuk mund të kërkohet nga asnjë institucion tjetër. Kërkesa për largimin e tyre, Krasniqi tha se buron nga Serbia.

Sa i përket largimit të kryetarëve të komunave, besoj që kryetarët kanë bërë punën e vet. Largimi i tyre nga zyret e kryetarit është i përcaktuar me ligj edhe dorëheqja e secilit kryetarë nuk mund të kërkohet nga asnjë institucion tjetër. Kërkesa për largimin e tyre apo dorëheqja është kërkese e Serbisë”.

Më 10 korrik Kosova dhe Bashkimi Evropian, në Bratisllavë, arritën një ujdi për rrugën që duhet ndjekur për shtensionim të situatës në veri.

Si hap i parë që u plotësua ishte zvogëlimi i pranisë së njësive policore në e përreth godinave komunale në Leposaviq, Zubin Potok, e Zveçan.

Derisa institucionet kosovare, thonë se votimet e reja duhet të bëhen përmes nënshkrimit të peticionit, nga BE-ja e kanë përsëritur edhe dje se dorëheqjet e kryetarëve të komunave janë mënyra më e shpejtë për të nxitur zgjedhje të parakohshme,

”Dorëheqjet e kryetarëve të komunave janë mënyra më e shpejtë për të nxitur zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që të dyja palët duhet të tregojnë konstruktivitet në realizimin e zgjedhjeve. Status-quoja e cila rezultoi nga tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nëntorin e kaluar dhe bojkotimi i zgjedhjeve të prillit nga komuniteti serb i Kosovës, nuk është e qëndrueshme”, kanë thënë të hënën nga BE-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *